Pas përhapjes së lajmit se është larguar nga Partia e Lirisë për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste, deputeti i Shkodrës Agron Çela është fotografuar krah socialistëve.
Çela shihet në një selfie të shkrepur nga Elisa Spiropali, e cila është drejtuese politike e Partisë Socialiste për Shkodrën. Në selfien e shkrepur nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin shihet edhe Benet Beci.
Burime të zyrtarëve drejtuese te dy partive (PS-PL) konfirmuan më herët gjatë ditës së sotme se Çela ka kaluar me PS-në dhe pritet të prezantohet ne ditët e para të janarit.
Agron Çela i pyetur nga mediat, as nuk e konfirmoi dhe as e mohoi lajmin, por deklaroi se ende nuk ka vendosur asgjë, pasi ka disa oferta nga parti të ndryshme. Megjithatë, fotoja e publikuar i pohon zërat për kalimin në PS.
Çela është një nga 4 deputetët e Partisë së Lirisë të dalë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ai mundi të merrte në qarkun e Shkodrës 2656 vota.
Kalimi i deputetit Çela në Partinë Socialiste bëhet në funksion të objektivave të kësaj force politike për zgjedhjet lokale të 14 majit, ku PS kërkon të fitojë për herë të parë Shkodrën.