Është tepër e vështirë, të veçosh ish futbollistët e ekipit “Minatori”, pasi që të gjithë kanë dhënë maksimumin e tyre dhe janë bërë pjesë e historisë në futbollin tepelenas, por ai që u kthye në tmerr për ekipet kundërshtare, është futbollisti, Ferman Haska.
Fermani u lind më 13 Janar të vitit 1953, në Drithas të Korçës, me prindër po nga kjo trevë. Arsimin fillor dhe atë tetëvjeçar, e kreu në vendlindje.
Në vitin 1967, grumbullohet me pionierët e Korçës dhe e përfaqësojnë atë, në kampionatin e pionierëve që u zhvillua në Durrës. Në vitet 1967-69, luan me të rinjtë e ekipit “Skënderbeu” të Korçës. Talenti i tij, u spikat nga trajnerët e ekipit “Shpresa”, të Korçës dhe luajti si sulmues në kampionatin e viteve 1970-71, ndërsa me ekipin e parë të “Skënderbeut”, luajti vetëm fazën e dytë të kampionatit të viteve 1971-72.
Në vjeshtën e vitit 1972, thirret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe e hedhin në Sarandë, ku grumbullohet me ekipin e “Butrintit”. Ferman Haska luan edhe në kampionatin ushtarak të futbollit, që u zhvillua në Gjirokastër. Loja dhe golat spektakolare të Fermanit në Kampionatin Ushtarak të Gjirokastrës, tërhoqën vëmendjen e drejtuesve të futbollit dhe sporteve në rrethin e Tepelenës. Me ndërhyrjen e këtyre të fundit dhe me mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, bënë të mundur transferimin e Ferman Haskës, në fillimin e vitit 1973, për të kryer shërbimin ushtarak, në një nga brigadat që ishin të lokalizuara në veri-perëndim të qytetit të Tepelenës.
Futbollisti i talentuar, Ferman Haska ka filluar të luaj si mesfushorë dhe më pas si sulmues me ekipin “Minatori”, qysh nga viti 1973 deri në vitin 1985 me një kontribut të jashtëzakonshëm, duke i dhuruar emocione nga më të veçantat, jo vetëm sportdashësve memaliotë dhe atij në mbarë trevën tepelenase, por edhe atyre ku ekipi “Minatori”, luante si ekip mik. Nuk duhet harruar se këta të fundit, së bashku me futbollistët e ekipeve të tyre, kanë përjetuar edhe emocione plotë shqetësime dhe ankth, pasi loja spektakolare e Ferman Haskës e mbushur plotë sprintime, driblime, goditje nga distanca, fitues për topin në dyluftimet në ajër dhe një njohës shumë i mirë i portës, e kishte bërë atë në një nga golashënuesit më të mirë. Nga e fundit, ishte kthyer në një tmerr i vërtetë për ekipet kundërshtare, jo vetëm për ato të Kategorisë së Dytë, por edhe për ato ekipe të Kategorisë së Parë, kur ekipi “Minatori” luante për “Kupën e Republikës”.
Në vitin 1987, krijon ekipin për moshat e vogla dhe vazhdon drejtimin e tyre si trajner edhe në ditët e sotme. Ferman Haska ka qenë edhe zv/trajner i ekipit ‘Minatori”, në vitet 1988-90. Në vitin 1996-ë, i besohet drejtimi i ekipi të futbollit “Memaliaj” me zv/trajner, Asllan Seferin dhe vazhdojnë deri në vitin 2000.
Në vitin 1996, për vlerat e tij të larta sportive si futbollist dhe për kontributin e tij të pashoq në këtë sport, vlerësohet nga FSHF-ja me titullin e lartë, “Mjeshtër Sporti”.
Mjeshtëri i Sportit, Ferman Haska nuk është larguar asnjëherë nga sporti i futbollit, pasi edhe në ditët e sotme vazhdon të stërvisë moshat e vogla dhe i përgatit ata, deri në moshën kur ata bëhen gati të luajnë me ekipin e të rinjve dhe më tej. Për kontributin e tij në respekt, të gjithë brezat i flasin Prof. Ferman Haska. Në Memaliaj, ai banonte me nënën e tij. Nënë Nele, ishte shumë e dashur dhe gëzonte respektin e të gjithë bashkëqytetarëve.
Prof. Ferman haska, krijoi familje në fund të vitet ’70, me memalioten Lumturi Lika dhe sollën në jetë edhe dy fëmijë, të cilët i pagëzuan me emrat, Spartak dhe Orjola. Spartaku, filloi të luante futboll që në moshë të vogël dhe në vazhdim, ndërsa Orjola vazhdoi studimet për gjuhën e huaj gjermane.
Të flasësh për futbollistin. Ferman Haska dhe të sjellësh gjithashtu në këtë shkrim, kujtimet e futbollistëve dhe sportdashësve memaliotë, padyshim që janë nga më të bukurat dhe emocionueset, si e tillë do të duhen shumë orë për t’i përshkruar. Duke patur fatin t’i dedikoj këtë shkrim, nuk mund të ri pa shkruar një nga kujtimet e mia që ende më shoqëron.
E kam fjalën për minutat e para të Ferman Haskës, në Memaliaj. Ishte një nga paraditet e fundit të shkurtit të vitit 1973, kur tek harku i zonës së portës nga krahu perëndimorë i fushës, vumë re, se po afrohej Turabi Shehu, shoferi i autobuzit të ekipit, i cili po shoqërohej nga një ushtar i veshur me kapotë dhe më i shkurtër se Turabiu.
Unë isha duke ndihmuar Prof. Karafil Asllanin, pasi po hapnim gropat për të vendosur tek secila, thylla betoni që do të shërbenin për rrethimin e brendshëm të fushës, punë kjo që zgjati disa javë, pasi edhe moti bënte të vetën. Unë ngaqë banoja tek pallati që ishte vetëm disa metra larg fushës, shkoja shpesh dhe e ndihmoja Prof. Filen. Ne ishim nga krahu jugor i fushës, shumë afër vendit ku bashkohej vija anësore me vijën e mesit të fushës. Koha ishte me diell dhe jo ftohtë, por fusha ishte bosh. Ndaluam së punuari dhe shumë shpejtë u përballëm me Turabiun dhe ushtarin që dukej shumë i ri në moshë dhe i fizikshëm. Që të dy u takuan me Prof. Filen ku në të njëjtën kohë Turabiu e prezantoi me emër Fermanin, ndërsa mua më përshëndetën. Takimi nuk zgjati më shumë se 5 minuta dhe po aty, duke qëndruar në këmbë, me atë qetësinë tij, Prof. Filia i uroj mirëseardhjen. Të nesërmen, Fermani filloi stërvitjen dhe lajmi u përhapë shumë shpejtë. Në ato vite stërvitja e “Minatorit”, sidomos ndeshja e kontrollit që bëhej çdo të enjte, ndiqej nga më shumë se një mijë sportdashës.
Telenti Ferman Haska, i fitoi shumë shpejtë zemrat e të gjithë tepelenasve dhe u bë një ndër futbollistët më popullor dhe më të mirënjohur në jug të vendit dhe kudo që ai luante! Falë formës së lartë sportive të të gjithë futbollistëve të “Minatorit” të asaj kohe, ku ishte pjesë edhe loja spektakolare e Ferman Haskës, tërhoqi aq shumë vëmendje, saqë në ndeshje të veçanta me ekipe të forta apo kur luhej kundra ekipeve të Kategorisë së Parë, për “Kupën e Republikës”, në Memaliaj vinin sportdashës edhe nga qytetet të tjera të jugut si, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Ballësh,..etj, pasi aty ishte edhe një tjetër spektakël. të cilin e dhuronin tifozët e zjarrtë!
Futbollisti Ferman Haska, nëse do të përjetonte ëndrrën e tij të kohës, në një Shqipëri të hapur dhe demokratike, padyshim që do të ishte një ndër lojtarët më me zë, jo vetëm në Europë, por edhe në botë.
Në mbyllje të këtij dedikimi modest, po shprehë jo vetëm mirënjohjen më të thellë, por edhe vlerësimin që i bëjnë memaliotët dhe gjithë tepelenasit, të cilët prej kohësh e kanë shpallur, Ferman Haskën “Qytetar Nderi i Memaliajt”, por edhe “Nderi i Rrethit Tepelenë”!
Edmond Ismailati
Dhjetor 31, 2022