Presidenti Bajram Begaj ka uruar shqiptarët me rastin e Vitit të Ri 2023. Kreu i shtetit ka uruar nëpërmjet një mesazhi një vit të ri sa më të mbarë, sa më të begatë, shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Luginën e Preshevës, për arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.
Begaj shprehet se vitin e ardhshëm, duke qenë se është vit zgjedhor, duhet të garantojmë një proces të qetë dhe brenda standardeve më të larta. Sipas tij, të gjitha partitë politike duhet ta rigjejnë frymën e dialogut dhe bashkëpunimit duke theksuar se qëllimi i përbashkët i të gjithëve është përparimi i Shqipërisë.
Një urim të veçantë, Begaj e pati edhe për fëmijët. Ai bëri thirrje që t’u qëndrohet pranë të rinjve në mënyrë që të ardhmen ta shohin në atdhe.
Në mesazhin e tij në prag të ndërrimit të viteve, Begaj ka prekur edhe situatën në rajon. Sipas tij, “situata e rëndë dhe e patolerueshme e krijuar në veri të Kosovës duhet të marrë fund”. Begaj thekson se vetëm dialogu dhe respektimi i integritetit të Republikës së Kosovës janë rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve.
Mesazhi i Presidentit Begaj:
Të dashur motra dhe vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, të një atdheu dhe të një kombi!
Janë orët e fundit të vitit 2022 ndaj më lejoni t’ju uroj një vit të ri sa më të mbarë, sa më të begatë për ju dhe njerëzit tuaj të dashur! Shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Luginën e Preshevës, për arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.
Në këto muaj, jam përpjekur të vij sa më pranë jush, për t’ju takuar nga afër, për t’ju dëgjuar nga afër. Në Kukës apo Delvinë, Shkodër apo Elbasan, kudo ku kam qenë, qytetarë të të gjitha moshave, më kanë folur për shqetësimet e tyre, vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë.
Kam bërë dhe do të bëj detyrën, që zëri i çdo qytetari të Shqipërisë, që zëri juaj, të dëgjohet. Askush nuk duhet të ndihet i mënjanuar, i braktisur, i cënuar në mundësinë për të qenë konkurrues me këdo e kudo.
Tek sa ishim ende duke u marrë me rimëkëmbjen nga tërmeti, krizën e pandemisë, një tjetër ngjarje do të shënohej këtë vit: agresioni i pajustifikuar rus ndaj Ukrainës. Na u desh të përballonim sfida të mëdha, të cilat vunë në provë solidaritetin tonë, solidaritetin njerëzor dhe fuqinë e bashkimit.
Të dashur shqiptarë të rajonit!
Duhet të jemi të vetëdijshëm për rolin tonë të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti dhe sigurie në hapësirën ku jetojmë. Situata e rëndë dhe e patolerueshme e krijuar në Veri të Kosovës duhet të marrë fund. Provokimet dhe gjuha e kërcënimeve nuk janë gjuha me të cilën mund të flitet, vetëm dialogu dhe respektimi i integritetit të Republikës së Kosovës janë rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve.
Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, për anëtarësimin, sa më të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Në këto kushte pasigurie globale, sfidash nga më të ndryshmet, që nga ato ekonomike e shëndetësore, tek ato klimatike, është e lehtë të biesh në pesimizëm, të mos gjesh shtysën e nevojshme për të dhënë maksimumin, të humbasësh besimin se gjërat mund të bëhen më mirë.
Por në takimet që kam bërë, shqiptarët kanë ndarë me mua jo vetëm pengesat e jetës së përditshme, por edhe pritshmëritë, dëshirat dhe ëndrrat e tyre. Kanë ndarë histori frymëzuese solidariteti, kontributi vullnetar, histori të jashtëzakonshme suksesi.
Gjej rastin të falënderoj të gjithë shqiptarët që punojnë për ta bërë këtë vend më të mirë, për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre, për vendin e tyre.
Një mirënjohje e thellë për profesionistët e shëndetit, për humanizmin dhe përkushtimin që kanë treguar në këto kohë kaq të vështira. Mirënjohje për profesionistët e edukimit dhe arsimit, që i janë dedikuar një prej misioneve më sublime të shoqërisë njerëzore, atë të përçimit të dijes; nderim për Forcat e Armatosura, forcat e rendit, ato të ndihmës së shpejtë, zjarrfikësit, për të gjithë heronjtë e heshtur që janë gati të sakrifikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetë të tjera njerëzish.
Falënderim për gazetarët dhe median, shtyllë e rëndësishme për demokracinë funksionale; për të gjithë profesionistët që punojnë me ndershmëri e përkushtim në sferën e drejtësisë. Drejtësia e standardeve më të larta, nuk është dhe nuk duhet të shihet si një privilegj por si një domosdoshmëri.
Falënderoj të gjithë ata që investojnë dhe kontribuojnë për bujqësinë, industrinë, turizmin, për inovacionin, për rritjen e ekonomisë shqiptare. Mirënjohje për të gjithë artistët, që me artin dhe kulturën e tyre janë shpirti i një kombi.
Respekt për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në sukseset historike të këtij viti, si çeljen zyrtarisht të negociatave për anëtarësim me BE, pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, rritjen e rolit gjeopolitik të vendit tonë, shpalljen e Xhubletës shqiptare si pasuri e të gjithë njerëzimit, në mbrojtje të UNESCO-s.
Falënderoj të gjithë shqiptarët që na kanë emocionuar me sukseset e tyre, si Luiza Gega, e shumë e shumë shqiptarë të tjerë që i bëjnë nder Shqipërisë kudo ku ata jetojnë e punojnë në të gjitha sferat, art, sport, kulturë, shkencë e më gjerë.
Mirënjohje ndaj diasporës, që pavarësisht se e degëzuar kudo në botë, ndjek me vëmendje dhe shqetësim gjithçka që ndodh në trungun mëmë dhe jep kontributin e saj madhor në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, social e kulturor të vendit. E konsideroj votën e diasporës si të drejtë themeltare dhe të domosdoshme.
Viti që po vjen do të jetë një vit zgjedhor, ndaj të gjithë aktorët dhe institucionet, duhet të garantojnë një proces zgjedhor të qetë e brenda të gjitha standardeve më të larta demokratike. Konfliktualiteti, gjuha e urrejtjes dhe e mërive partiake, fragmentarizimi i energjive politike, opozicioni i fjalëve dhe jo i zgjidhjeve, duhet t’i mbeten së shkuarës.
Është koha të kuptojmë se lufta jonë nuk është me njëri-tjetrin, por me varfërinë, me korrupsionin, me krimin dhe pasigurinë për një të ardhme më të mirë, të ndërtuar në trojet tona, për t’i thënë ndal braktisjes së atdheut. Të gjitha partitë politike duhet të rigjejnë frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, duke e parë njëri tjetrin si përfaqësues të bindjeve të ndryshme, por me një qëllim të përbashkët: përparimi i Shqipërisë!
Një urim i veçantë për fëmijët tanë. Atyre u përket më shumë se kujtdo bota e ëndrrave, bota e së mirës dhe paqes. T’u qëndrojmë pranë të rinjve, t’u japim kurajo, mbështetje dhe shpresë në mënyrë që të ardhmen ta shohin në këtë vend. Le t’i trashëgojmë atyre një Shqipëri më të mirë, më të begatë, më të drejtë, Shqipërinë anëtare të BE-së.
Në këto momente në tryezën e fundvitit familjet bashkohen dhe rigjejnë lumturinë tek traditat më të ngrohta të festave. Në Shqipëri, jemi me fat sepse ende raportet familjare, ato njerëzore, i kemi ruajtur dhe na shërbejnë si mburojë përballë vështirësive dhe dallgëve të jetës. Familjet tona janë streha e ngrohtë ku gjejmë motivin e përditshëm për të dhënë më të mirën tonë, ndërsa marrim po ashtu më të mirën prej tyre.
Sot, në momentet e ndërrimit të viteve me njerëzit e zemrës, mos u kurseni t’i shprehni atyre dashurinë, mirënjohjen që janë pranë jush dhe për gjithçka që kanë bërë për ju.
Të dashur bashkëatdhetarë,
Kur të jemi duke punuar në zyrë apo duke punuar tokën, duke studiuar apo duke dhënë mësim, duke shëruar të sëmurë apo duke ndihmuar të moshuar, duke shpluhurosur trashëgiminë kulturore apo duke krijuar vepra artistike, kur të jemi duke votuar, çfarëdo të jemi duke bërë, të mbajmë parasysh se jemi duke i shërbyer në të njëjtën kohë edhe familjeve tona, vendit tonë, kombit tonë,
Shqipërisë sonë të dashur.
Gëzuar!
Urimet më të mira për Vitin e Ri 2023!