Aktualitet Lëshohen në hapësirë satelitët e Shqipërisë, Albania 1 dhe Albania 2

Lëshohen në hapësirë satelitët e Shqipërisë, Albania 1 dhe Albania 2

Raketa Falcon 9, pjesë e misionit të përbashkët të SpaceX Transporter 6, ka lëshuar këtë të martë dy satelitët e Shqipërisë, Albania 1 dhe Albania 2.

“Ja dhe kjo, u tha, u bë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2”, shkruan Rama në Facebook, ndërsa shpërndan edhe pamjet e nisjes së raketës Falcon 9.

Pak ditë para ndërrimit të viteve, ishte ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili konfirmoi lajmin se shërbimi satelitor përmes dy satelitëve “Albania 1” e “Albania 2″ do të nisin të na furnizojnë me informacione imazherie shumë të rëndësishme për emergjencat civile.

Kryeministri Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në shtator 2022, tha se “me lëshimin e këtyre satelitëve, ne hyjmë në një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, në funksion të luftës kundër korrupsionit, në funksion të forcimit të shtetit dhe në funksion të barazisë përpara ligjit, por edhe në funksion të së drejtës së barabartë për të përfituar nga gjithë mbështetja shtetërore”.

Dy satelitët do t’i kushtojnë shtetit shqiptar 6 milionë dollarë, ose 671 760 000 lekë, për një kohëzgjatje kohore prej 3 vitesh.