Princi Harry zbuloi fjalët që i tha mbretëreshës Elizabeth II në shtratin e saj të vdekjes, në Balmoral Castel në Skoci.
Në autobiografinë e tij “Spare”, duka i Sussex zbulon detaje të udhëtimit në kështjellë pas vdekjes së monarkes, më 8 shtator, sipas ”Daily Mail”, që mori një kopje në spanjisht të librit.
Harry përshkruan se si i pëshpëriti asaj se “shpresonte që ajo të ishte e lumtur” dhe që ”do të ribashkohej” me burrin e saj, Philip, i cili vdiq në prill 2021.
Harry fluturoi për në Skoci më 8 shtator pasi Buckingham Palace njoftoi se ajo ishte e sëmurë rëndë, por ai arriti në Balmoral pasi ajo vdiq.
Harry shkruan se princesha Anne e mirëpriti atë në kështjellë dhe e çoi lart në dhomën e gjyshes së tij.
“Ecja i pasigurt dhe e pashë. Qëndrova pa lëvizur duke e parë me kujdes për një kohë të gjatë. I pëshpërita se shpresoja që ajo të ishte e lumtur dhe me gjyshin. I thashë se e admiroja që kishte kryer detyrat e saj deri në fund – jubileun dhe mikpritjen e kryeministres së re”.
Harry zbulon gjithashtu se babai i tij, mbreti Charles III, refuzoi të lejonte që Meghan të bashkohej me të në Balmoral duke e shtyrë atë t’i thoshte babait të tij “mos fol kurrë për gruan time në atë mënyrë”.
Charles gjithashtu iu lut William dhe Harry “ju lutem djema, mos ma nxini jetën në vitet e mia të fundit”, gjatë një takimi të tensionuar në Windsor menjëherë pas funeralit të dukës së Edinburgut.