Andrew Bode, ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa, u pajis me pasaportë të re vetëm 1 ditë përpara se të shpallej në kërkim.
Televizioni Klan mëson se ai ka aplikuar për pasaportë në vendin e lindjes së tij, në Berat më 29 Dhjetor, 13 ditë pas vrasjes që kreu në zonën e Selitës.
Më 30 dhjetor ai e ka tërhequr pasaportën në mënyrë të përshpejtuar, ndërsa më 31 dhjetor policia arrestoi bashkëpunëtorin e tij, Albano Velon dhe e shpalli në kërkim 44-vjeçarin beratas, që jetonte në një shtëpi me qira te Kodra e Diellit.
Marrja e pasaportës ka qenë hera e fundit që ai ka lënë gjurmë.
Burime të grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e vrasjes së Edmond Papës thonë se pas marrjes së dokumentit të identifikimit, dyshohet se ai mund të jetë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale.
Ndërsa pasaporta mund të jetë përdorur prej tij për të lëvizur nga një vend anëtar i BE në ndonjë tjetër, për të humbur gjurmët.
Vendi në të cilin mund të ketë kaluar kufirin ilegalisht dyshohet se është Greqia. Ai ka jetuar më parë atje dhe rezulton se ishte dënuar për trafik droge, dënim prej të cilit ka ndryshuar edhe emrin nga Ervin në Andrew.
Prokuroria e Tiranës kërkoi këtë të premte masën e sigurisë arrest me burg në mungesë, ndërsa Bode pritet të shpallet në kërkim ndërkombëtar.
Sipas organit të akuzës, pamjet filmike si dhe prova të tjera të pakontestueshme provojnë se ishte Bode që qëlloi biznesmenin Papa, ndërsa i arrestuari Albano Velo e ka ndihmuar ta ndjekë dhe ta largojë nga vendi i ngjarjes. Velo dhe Bode rezulton të kenë pasur miqësi me Aleksandër Sadikajn, të vrarë në Qershor të vitit 2022 dhe dyshohet se vrasja e Edmond Papës mund të jetë e lidhur me këtë ngjarje./ Tv Klan