Aktualitet Çuçi: Riorganizim të Policisë Kriminale. Do krijojmë edhe njësi speciale për kontrollin...

Çuçi: Riorganizim të Policisë Kriminale. Do krijojmë edhe njësi speciale për kontrollin detar

Në një konferencë për mediat, këtë të mërkurë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri një analizë të punës së Policisë së Shtetit gjatë vitit 2022. Ai foli për sfidat dhe objektivat për vitin 2023.

Çuçi u shpreh se Policia Kriminale do të riorganizohet brenda vetes së saj.

“Gjatë vitit 2022, unë jam shumë i kënaqur që ne kemi bërë atë ristrukturim dhe të ndajmë punën e policisë kriminale nga krimet e lehta, duke u fokusuar gjithnjë e më tepër te krimi i organizuar, vrasjet, lufta ndaj trafikut të drogës. Policia Kriminale, duke filluar nga ky vit do të riorganizohet brenda vetes së saj dhe do të shkëpusë krimet e lehta, duke i konsideruar si krime që kanë më shumë të bëjnë me sigurinë publike dhe me rendin.

Kemi krijuar për herë të parë një drejtori të posaçme që do të merret me fushën e lëndëve narkotike. Ky rikonstruktim do të japë frytet në luftën kundër krimit, bandave të strukturuara. Do ta vazhdojmë ta shtrijmë ata që kemi bërë në drejtorinë qendrore edhe në nivel lokal.

Një rëndësi e madhe i është dhënë edhe momentit të fiksimit të provave për një ngjarje kriminale duke fuqizuar institutin e policisë ligjore”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm u shpreh se pas sulmit kibernetik do të rritet me 7,6 herë investimi në teknologji.

Çuçi është shprehur më tej se për vitin 2023 kanë parashikuar krijimin e përbashkët të një njësie speciale të kontrollit detar.

Ai tha se kanë parashikuar kapacitetet njerëzore për këtë njësi në buxhetin 2023.

Çuçi theksoi se në funksion të kësaj njësie do të jenë 40 motorë.

“Kemi parashikuar për 2023 krijimin e përbashkët të një njësie speciale të kontrollit detar. Kemi parashikuar kapacitetet njerëzore për këtë njësi në buxhetin e vitit 2023. Kemi parashikuar buxhet për blerjen e pajisjeve, do të jenë 40 motorë në dispozicion të kësaj njësie e cila gjatë periudhës së verës do të patrullojë në mënyrë shumë më prezentë për të garantuar sa më shumë siguri.

Vjet për herë të parë kemi krijuar njësinë speciale të policisë alpine. Njësi që është trajnuar nga policia austriake alpine që është më e mia në botë”, tha ai.