Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer orët e para të mëngjesit të sotëm përpara banesës së shefit të Krimeve në Shkodër. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen Dobraç ku për pasojë banesa e Pëllumb Shpatit ka pësuar dëme si dhe automjeti i tij.
Si autorët, ashtu sikurse shkaqet për këtë ngjarje nuk dihen. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e saj.
“Rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, përpara banesës së shtetasit P. Sh., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje“, thuhet në njoftimin e policisë.
Vetë Pëllumb Shpati, mësohet të jetë shprehur se nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë.
Ndërkohë, në një prononcim për gazetarët babai i Pëllumb Shpatit, Gjergj Shpati, tregoi se shpërthimi ishte tejet i fortë dhe se dëmet janë të shumta. Megjithatë fatmirësisht nga ngjarja nuk ka persona të lënduar. Gjergj Shpati gjithashtu thotë se nuk ka konflikte me njeri, ndaj dhe dyshimin kryesor e ka që ngjarja të ketë ardhur për shkak të detyrës që mban djali i tij.
Gjergj Shpati: Rreth orës 04:00 kam qenë në gjumë kam dëgjuar krisma. Kur kam dalë, kam parë gjithçka të shkatërruar.
Sa veta ishit në shtëpi?
Gjergj Shpati: Po 17 vetë, nga këtu (kati parë) e deri në kat të 3. 3 familje.
Ishte i fuqishëm?
Gjergj Shpati: I fuqishëm, e shihni vetë.
Çfarë dëmesh keni?
Gjergj Shpati: Dëme në dritare, dyer, fasada, makina, në avlli etj.
Keni parë njeri? Dini gjë nga ju ka ardhur?
Gjergj Shpati: Po ku i pamë ne, s’na priti kush këtu.
Pse mendon se ka ardhur kjo ngjarje?
Gjergj Shpati: Atë nuk e di unë. Kam qenë në gjumë.
Mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës?
Gjergj Shpati: Po për shkak të detyrës se nuk kemi konflikte me njeri. As i kam kujt borxh, as nuk më ka kush.
Djali ka pasur ndonjë problem kohët e fundit, ndonjë kërcënim, paralajmërim?
Gjergj Shpati: Unë nuk e di.
Cila është kërkesa juaj?
Gjergj Shpati: Shteti pastë mundësi me bërë punën e vet, me hetuar ngjarjen.