Për herë të parë që kur mori detyrën e kreut të shtetit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kthen në kuvend ligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”.
Në arsyetimin e kreut të shtetit konstatohet një ngushtim i kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës për dhënien e dekoratave.
Sipas tij, kjo kompetencë është përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe nuk e ka në të njëjtin nivel as Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, as Kryeministri dhe as Ministrat përkatës, të cilët përcaktohen në ligj si autoritete përgjegjëse shtetërore, për dhënien e dekoratave.
“Është konstatuar së pari, mungesa e konsultimit të ligjit me Presidentin e Republikës, si palë e interesuar dhe organi i vetëm që përcakton Kushtetuta për dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit. Është e qartë, se në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës, i cili në kuptim të Kushtetutës, është një institucion i pavarur kushtetues, me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato”.
Sipas Begajt, “dhënia e dekoratës duhet konsideruar si një akt përmbyllës i një procesi vlerësimi, që i takon paraprakisht dhe vetëm Presidentit të Republikës”.