Jeni pijedashës dhe kërkoni të gjeni “formulën magjike” sesi t’i shpëtoni dhimbjes së kokës, pasi keni konsumuar sasi përtej normales?
Ka nga ata që zbatojnë mitin “konsumoni birrë përpara verës dhe do të jeni shkëlqyeshëm; nëse konsumoni verë përpara birrës do të ndiheni të shkatërruar”.
Por, një studim i fundit e ka hedhur poshtë këtë ide, për të cilën disa prej nesh ndoshta edhe mund të betohen se funksionon gjatë përzierjes së pijeve alkoolike.
Sipas studiuesve, pak rëndësi ka radha e pijeve në masën e efekteve të dhimbjes së kokës.
Për ta testuar teorinë e mësimpërme, studiuesit u dhanë pije alkoolike 90 vullnetarëve, sipas renditjeve të ndryshme, e këtë e përsëritën edhe një javë më vonë, por me rend të ndryshuar.
Studimi zbulon se “sa të dehur” u ndienë njerëzit dhe nëse kishin tregues të përmirësuar ditën pasardhëse “nëse e kishin nxjerrë” alkoolin.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj gjetjeve të tyre, për të lehtësuar disi mundësitë për një dhimbje ekstreme koke.
Shumëkush prej nesh ka teorinë e vet sesi të parandalohet një dhimbje koke, apo të bëhet më e përballueshme, kur ajo nis. Në fakt, pak dihet se çfarë e shkakton me të vërtetë dhimbjen, ndërsa shkenca ende nuk ka gjetur një kurë të vërtetë dhe efektive.
Për të studiuar radhën e pijeve dhe gjendja një ditë më pas, studiuesit morën 90 persona të moshës nga 19 deri në 40 vjeç, duke i ndarë në tri grupe. I pari konsumoi rreth 2 gota e gjysmë birrë, ndjekur më pas nga 4 gota të mëdha vere të bardhë, ndërsa grupi i dytë konsumoi të njëjtën sasi, por me rend të përmbysur. Grupi i tretë ishte si të thuash një grup “kontrolli”, që konsumoi vetëm birrë, ose vetëm verë.
Një javë më vonë, pjesëmarrësit në dy grupet e para ndërruan role, ndërsa ata në grupin e tretë ndryshuan llojin e pijes alkoolike.
Atyre iu kërkua më pas të gjykonin sesa të dehur kishin qenë në fund të çdo dite që kishin konsumuar alkool gjatë testimit, e sigurisht që u mbajtën nën mbikëqyrjen mjekësore përgjatë netëve.
Ndryshimi i rendit të pijeve nuk është se solli dallime të mëdha për dhimbjen e kokës që shkaktuan, që u mat përmes një pyetësori. Ishte gjithashtu e pamundur të parashikoje intensitetin e dhimbjes së kokës, bazuar në faktorë si mosha, pesha trupore, sjelljet e të dehurit, apo sa shpesh njerëzit hasin dhimbje koke. Gjithsesi, pati një diferencë të dukshme mes dy sekseve, me femrat që tentojnë të kenë më shumë dhimbje koke sesa meshkujt.
“E vetmja mënyrë e besueshme e parashikimit sesa keq do të ndihemi ditën pasardhëse, është pikërisht sa të dehur ndihemi apo nëse jemi të sëmurë apo jo. Këto janë vijat e kuqe që duhet të kemi parasysh kur konsumojmë alkool”, tha Jöran Köchling, nga Universiteti Witten/Herdecke në Gjermani, autori kryesor i studimit.
Megjithëse dhimbjet e kokës janë shumë pak të kuptueshme nga shkenca, mendohet se shkaqet përfshijnë dehidratimin, sistemin tonë imunitar dhe çrregullimet e metabolizmit apo hormoneve që prodhon trupi. Ndërkohë, ndonëse pijet e pastra shkaktojnë dhimbje të rënda koke, shtimi i ngjyruesve apo aromatizuesve mund t’i bëjë edhe më të forta ato.