Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli këtë të hënë edhe në lidhje me ligjin për amnistinë fiskale dhe nëse maxhoranca i ka votat e nevojshme për ta kaluar ligjin në parlament.
Balla u shpreh për mediat se Kuvendi i ka votat të kalojë çdo ligj në parlament përfshirë dhe ndryshimin e Kushtetutës.
Ai theksoi se deputetët e opozitës në momentin që do të lexojnë ligjin edhe mund të bien dakord për ta votuar atë.
“Kuvendi i Shqipërisë i ka votat për të miratuar çdo ligj, i ka votat për të miratuar ligje me 3/5-at dhe 2/3-at që është numri i votave për ndryshimin e Kushtetutës. Nuk është korrekte që unë të shprehem sot pasi deputetët e opozitës ende nuk e kanë lexuar ligjin për amnistinë. Çdo deputet duhet të votojë për atë që mendon dhe atë që i bën mirë vendit. Ligji për amnistinë fiskale i bën mirë ekonomisë së vendit. Mos u nxitoni në konstatimin tuaj të kahershëm se nuk janë votat”, tha Balla.
Lidhur me Avokatin e Popullit që zgjidhet nga Kuvendi, Balla tha se opozita ka të drejtën e propozimit, por që sipas tij nuk respekton kandidatët e vet.
“Fakti që opozita nuk respektoi kandidaturat që kishte mbështetur vetë në seancën e 22 dhjetorit, mbani mend që opozita bojkotoi procesin e votimit mbi një pretendim që rezultoi të ishte i paqenë, që rezultoi të ishte i lidhur me një votim tjetër,” – u shpreh Balla.
Sipas tij edhe nëse pretendimi i tyre ishte i vërtetë, kjo vërtetoi se opozita nuk respekton as kandidatët që sjell vet.
Balla tha se forma më e mirë për të zgjedhur Avokatin e Popullit do të jetë nëse opozita sjell katër kandidatura, dy zgjidhen nga mazhoranca e më pas vendoset për një. Ai u shpreh se kjo formë ka qenë funksionale për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vite më parë.