Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama duke iu referuar inceneratorëve.
Kryedemokrati Berisha është shprehur se “Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve”, kontratë për të cilën Berisha thotë se është firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit.
Akuzat i ka drejtuar dhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj teksa është shprehur se sipas tij, “fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Ramën dhe Veliajn.”
“Një hetim i hollësishëm, serioz, i dokumentuar, i publikuar dje nga Partia e Lirisë, dëshmon në mënyrë përfundimtare denoncimin që kemi bërë me dhjetëra herë dy vitet e fundit, se Edi Rama është kreu i organizatës kriminale dhe se në rastin konkret, fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Dje u faktua se Edi Rama, për sipërmarrjen e tij, me të cilën pret çdo ditë euro, ka mashtruar publikisht dhe nën betim. Që Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve që po përvetësojnë qindra milionë euro, kjo faktohet në mënyrën më të pakundërshtueshme me firmën e tij për kontratën e djegësave, kontratë që është negociuar dhe firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me praktikat e prokurimeve”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha ka deklaruar se “Rama zgjodhi plehrat për të kryesuar mafien e tyre, firmosi bonus për kompaninë që nuk ekzistonte”.
“Edi Rama ka firmosur një kontratë në shkelje të çdo parimi, vetëm se ajo është sipërmarrja e tij. Vetëm e vetëm se ai zgjodhi plehrat për t’u bërë milioner dhe më shumë se milioner. Ai zgjodhi plehrat për të kryesuar mafien e tyre. Ai firmosi vetëm pasi autoriteti kombëtar i prokurimeve, i dërgoi shkresën sipas të cilës kjo praktikë është antiligjore. Edi Rama, siç e dini ju, ka firmosur për t’i dhënë bonus, kompanisë së tij, 8 përqind, në një kohë kur kjo kompani nuk ekzistonte në asnjë regjistër, në asnjë dokument të këtij shteti dhe ai kishte në zyrë shkresën e firmosur nga ministrja Ermonela Felaj, ku njoftohej se kompania për të cilën kërkohej mendimi që të merrte bonusin 8 përqind, nuk ekziston. Kjo nuk e pengoi Edi Ramën, se ai kishte ndërmend ta krijonte kompaninë. E vërteta është se kompania u krijua tetë muaj më vonë“, tha Berisha.
Berisha ka akuzuar po ashtu edhe kryebashkiakun Veliaj pasi sipas tij, përmes inceneratorit të Sharrës, ”Rama dhe Veliaj bashkë kanë vjedhur 54 mln Euro.”
“Kompania e Ramës dhe Veliajt ka një kontratë për fushën e Sharrës. Aty thuhet se për çdo ton plehrash të depozituar në fushën e Sharrës, bashkitë do paguajnë 11 euro nëse ato nuk digjen dhe do paguajnë 29 euro në rast se ato digjen. Prej gjashtë vitesh në fushën e Sharrës nuk është djegur asnjë kg pleh, bashkitë e Tiranës, qytetarët e Tiranës, paguajnë për çdo ton, jo 11, por 29 euro. Çka do të thotë se 16 apo 17 euro, përfundojnë në kontot bankare të Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ja se si Sharra është minierë floriri e Ramës dhe Erion Veliajt. Hetimi, investigimi i publikuar dje, faktonte në mënyrën më të pakundërshtueshme se plehrat, mbetjet jo vetëm nuk seleksionoheshin sipas natyrës së tyre, por groposen si 20 vite më parë, pa asnjë veçim, pa asnjë seleksionim, pa asnjë djegie. Rama dhe Veliaj kanë vjedhur 54 milionë euro. Pra, të gjitha plehrat që qytetarët i veçojnë në kosha, bashkohen dhe groposen si 20 vite më parë. Ky është një mashtrim, një vjedhje e paimagjinueshme”, përfundoi Berisha.