Kryesore ’21 janari’, Rama dhe familjarët e 4 viktimave vendosin lule në Bulevard:...

’21 janari’, Rama dhe familjarët e 4 viktimave vendosin lule në Bulevard: Një fakt i ri rrëqethës sapo ka dalë në dritë

12 vite nga 21 janari i 2011, kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues, u ndoq i njëjti ritual. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga familjarë të viktimave dhe një pjesë e kabinetit qeveritar zhvilloi homazhe në Bulevard.

Pasi vendosi lule në vendet ku u vranë 4 protestuesit më 21 Janar 2011, Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me familjarët e tyre në ambientet e Kryeministrisë.

Rama reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale pas homazheve në Kryeministri për 4 viktimat e 21 Janarit.

“Homazhe në pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi, ndërkohë që e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri rrëqethës sapo ka dalë në dritë…”, shprehet Rama.

Dy vite më parë, kryeministri Rama i shpalli “Dëshmorë të Atdheut” 4 protestuesit që u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

4 viktimat Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u nderuan përmes një ceremonie të posaçme me argumentin e qeverise se ata ndikuan në ndryshimin e marrëdhënies së qeverisë në raport me protestën dhe transformimin e sistemit të drejtësisë.

Aktualisht ka vetëm një çështje në Prokurorinë e Tiranës dhe është ajo e vrasjes së Aleks Nikës. Predha që e la atë të vdekur është dërguar për ekzaminim në Itali.

Vrasja e tij mbetet ende pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë është qëlluar duke i marre jetën.

Hetimi i parë për protestën e 21 janarit çoi si të pandehur Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.