Aktualitet Dëbora pushton veriun e juglindjen. Mbi 200 makina bllokohen në “Rrugën e...

Dëbora pushton veriun e juglindjen. Mbi 200 makina bllokohen në “Rrugën e Arbrit”

Ulja e ndjeshme e temperaturave ka bërë që reshjet në zonat malore të jenë në formën e borës, të cilat janë bërë shkak për probleme të shumta në lëvizjen e mjeteve dhe furnizimin me energji. Si pasojë e borës së madhe, by pass-i në Qafën e Murrizit u bë i pakalueshëm, ndërsa rreth 200 mjete janë bllokuar.

Tri borëpastruese po punojnë për hapjen e rrugës, por reshjet me intensitet nuk lejojnë zhbllokimin dhe kalimin e mjeteve. Dy postoblloqe policie u vendosën në Tufinë dhe Klos, duke bërë devijimin e makinave nga rruga e vjetër Milot-Burrel.

Në këtë qark, edhe rruga Peshkopi-Lurë është e pakalueshme pasi trashësia e borës i kalon 20 cm. Disa makina mbetën të bllokuara edhe në Malin e Tomorrit, ndërsa policia dhe shërbimet zjarrfikëses u nisën drejt tyre për t’iu ardhur në ndihmë.

Për shkak të rënies së ortekëve, rruga është e pakalueshme për momentin drejt Thethit.

Në qarkun Korçës ka pasur reshje bore, trashësia e së cilës është 10-25 cm. Të gjitha akset rrugore janë të hapura.

1120 hektarë tokë në zonën e Nënshkodrës dhe 770 hektarë në Lezhë rezulton të jenë ende nën ujë. Por Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bën të ditur se nuk paraqiten problematika të theksuara.

Moti i keq i shoqëruar edhe me erë të fortë ka shkaktuar probleme edhe në rrjetin elektrik në disa zona rurale të qarqeve Tiranë, Elbasan, Kukës dhe Shkodër ku mbi 3 200 abonentë kanë mbetur pa energji.

Moti i keq vijon të bllokojë lundrimin e anijeve nga Durrësi drejt Barit të Italisë.