Deklarata e Trumpit se ndoshta mund ta rishqyrtojë marrëveshjen atomike me Iranin është alarmuese. Po të tërhiqen SHBA prej saj, kjo mund të kishte pasoja fatale për Evropën. Këtë BE nuk mund ta pranojë.
Nga Kersten Knipp – DW
Para disa ditësh, Nikki Haley, ambasadore e SHBA në OKB i dha opinionit botëror një përshtypje për atë se si mund ta trajtojnë Iranin në të ardhmen SHBA. Detajet vërtet që nuk janë përpunuar, por linjat e mëdha janë përcaktuar. Ato përfundojnë në konfrontim.
Jo më larg se tetori, Presidenti i SHBA Donald Trump bëri të ditur se çfarë mendon për marrëveshjen atomike me Iranin. Tani Haley lexoi listën e mëkateve politike të Iranit.
Lista është e gjatë, ajo peshon rëndë dhe po bëhet më e gjatë, po të kesh parasysh Sirinë. Teherani, kështu u shpreh këto ditë një komentator izraelit, ndodhet në rrugën më të mirë për ta shndërruar Sirinë në një shtet kolonial iranian. Kjo diagnozë mund të jetë e tepruar, po në thelb është e argumentuar.
Marrëveshja atomike të shihet e izoluar
Po të gjitha këto nuk e justifikojnë që marrëveshja të vihet në pikëpyetje. Sepse aktivitetet rajonale të Iranit nuk janë objekt i marrëveshjes. Për një periudhë kohe shpresohej megjithatë që fryma e marrëveshjes të shtrihej edhe në fusha konvencionale të konfliktit në rajon dhe të ushtronte efekt moderues mbi to. Kjo shpresë – të paktën deri tani – nuk është plotësuar. Irani ndjek edhe më tej një politikë të jashtme agresive.
Po nëse SHBA do ta anulonin marrëveshjen, kjo do ta shtonte kaosin në rajon. Sepse një program i ri armatimi i Iranit do t’i nxiste shtetet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Veçanërisht armiku për vdekje i Iranit, Arabia Saudite mund të përpiqet që të ndjekë këtë strategji.
Spekulime të mundshme
Ç’pamje do të kishte politika e jashtme iraniane, po të mos kishte ekzistuar marrëveshja? A do të ishte ndoshta edhe më agresive? E sigurtë është që perspektiva e prishjes së marrëveshjes, do t’i jepte shkas Iranit që të mos përmbahej në asnjë formë ushtarakisht dhe diplomatikisht. Kjo edhe sepse SHBA po e armatosin rëndë Arabinë Saudite.
Vështrimi i çuditshëm i Trumpit drejt Lindjes së Afërt
Nuk duhet të preferosh skenat apokaliptike, që ta përfytyrosh situatën në Lindjen e Afërt më të errët pa marrëveshjen se sa është me të. Një luftë e re ose luftë e autorizuar midis Iranit dhe Arabisë Saudite mund të bënte të merrnin arratinë edhe më shumë njerëz – dhe ta shtonte presionin e migrimit ndaj Evropës. Kjo mund ta nxehte edhe më tej klimën politike, të acaruar edhe tani nga populistët në BE, edhe në Gjermani.
Prishjen e marrëveshjes do ta ndjente e para Evropa. SHBA nga ana tjetër, të mbrojtura nga një llogore me ujë me gjerësi prej mijëra kilometrash do të mbeteshin të paprekura nga pasojat e një katastrofe të tillë. Tendenca e Trumpit për të parë te Arabia Saudite një garante të paqes në Lindjen e Afërt dhe tek Irani nxitësin e vetëm të terrorizmit është absurde. Politikisht ajo është kaq e rrezikshme, sa Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes që të mos e kundërshtojë.