Futbollist në Shqipëri, kopshtar kanabisi në Britani. Është kjo historia e Elsion K., të riut nga Librazhdi, i cili u kap në Mbretërinë e bashkuar në një “shtëpi bari”. Sipas asaj që shkruajnë mediat, i riu kujdesej për drogë, e cila nëse dilte në treg, do të sillte fitime deri në 125 mijë Paund.
Në gjyq u zbulua se 26-vjeçari i kishte paguar një shumë të madhe parash një bande kriminale që ta fusnin në Britani. Pjesën më të madhe të udhëtimit, i riu e kreu në bagazhin e makinës dhe siç ka thënë se seancë priste që të punonte në ndërtim.
Në operacionin për kapjen e 26-vjeçarit u sekuestruan 289 rrënjë kanabis. Në momentin e arrestimit, ai nuk ka dhënë asnjë koment për policinë. Avokati mbrojtës i shqiptarit tha se ai kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar dhe dërguar para familjes. Gjithçka sipas tij, shqiptari e ka bërë për të ndihmuar nënën dhe motrën, por është penduar.
Avokati argumentoi se i riu nuk është dënuar asnjëherë, ka qenë futbollist dhe është me arsim të lartë, me një master në shkencat sportive. Po ashtu tha se 26-vjeçari kërkon që menjëherë sapo të mbarojë dënimin të kthehet në Shqipëri, ku dëshiron të bëhet trajner personal.
Gjykatësi e dënoi shqiptarin me 16 muaj burg. Ai duhet të shërbejë të paktën gjysmën e dënimit dhe më pas mund të lirohet me kusht. Gjykatësi u shpreh se deportimi në Shqipëri është tashmë çështje e Zyrës për Punët e Brendshme dhe kërkoi të kryhen hetime nëse i riu është viktimë e trafikut të qenieve njerëzore.