Nga Lutfi Dervishi
Në fakt janë tre kategori patronazhistësh që nuk janë vlerësuar aq sa duhet për kontributin dhe punën e tyre sfilitëse.
Të parët janë patronazhistët që u bënë publik në rastin e rrjedhjes së të dhënave personale. Janë njerëz real, kanë emër, mbiemër, punojnë diku dhe kujdesen për emrin, mbiemrin, vendin e punës dhe hallet e një grupi votuesish. Interesohen për ty a jeton në Shqipëri apo je jashtë shtetit? Kanë arritur të pikasin preferencën politike që ke, dhe mbi të gjitha nëse ke ndonjë problem per të zgjidhur. Duket sikur ky patronazhist është çelësi i suksesit që garanton fitoren në zgjedhje. Gabim. Zgjedhjet nuk fitohen ditën e votimit. Zgjedhjet nuk fitohen as gjatë fushatës elektorale, zgjedhjet fitohen pa nisur beteja. Për këtë kontributin më të madh e japin patronazhistët e kategorisë së dytë.
Këta patronazhistë, si rregull bëjnë dy punë. Puna e dytë është më e rëndësishme: është puna në botën digjitale. Krahas shpërndarjes së njoftimeve dhe linqeve në Whatsapp, këta patronazhistë kanë detyrë partie aktivizimin në rrjete sociale. Përveç likeve, komenteve të tipit: bravo, super, Shqipëria në rrugën e duhur, përveç shpërndarjeve të postimeve të shefave dhe shefave te shefit.
Detyra kryesore është përgjimi i të tjerëve. Çfarë postojnë, kujt i bëjnë like, çfarë shpërndarjanë në rrjet? Menjëherë futen në komente sipas strategjisë se artit ushtarake në fillim grupi i sulmit- ata që nuk ja bën syri tërr të fyejnë dhe të ofendojnë, skalioni i dytë janë komentuesit sulmues ad hominem- pra nuk komentojnë çfarë është postuar, por kalojnë në sulm ndaj personit. Këta nuk e lexojnë postimin nga frika se mund te infektohen dhe ndërrojnë mendjen. Këta hidhen direkt në sulm. Skalioni i tretë janë komentuesit me përvojë; këta nuk sulmojnë por “argumentojnë”: këto gjëra ndodhi kudo, nuk është tamam kështu, po e mban si ka qenë atëherë etj etj. Këta janë patronazhistët që nuk flenë. Punojnë orar e pa orar. Nga e hëna në të hënë. Nuk njohin të shtunë, dhe e kanë harruar të dielën. Por edhe kjo kategori, megjithë rëndësinë që ka nuk është vendimtare. Aq më tepër që një pjesë e mirë e tyre punojnë në ilegalitet, me profile fallco
Vendimtare është kategoria e tretë: patronazhistët e ekraneve. Këta janë vërtet për t’u vlerësuar se venë fytyrën e tyre në dispozicion të partisë. Guximi i tyre i çartur për të zhvlerësuar faktet, dhe injoruar logjikën; kurajo për të përbaltur opinionin ndryshe dhe për të lëvduar veten ende nuk është shpërblyer sa duhet.
Patronazhistët e ekranit kanë detyrën më të vështirë. U duhet që të zezës t’i thonë e bardhë dhe djallit t’i thonë engjëll. Sidomos në ngjarje të mëdha- puna e tyre nuk ka të çmuar. Oratoria e tyre me vetëm 186 fjale e lë Ciceronin të turpëruar. Klasi e tyre për të parë filxhan në një rast dhe po për rastin e ngjashëm të ngrenë zërin për të lënë drejtësinë të bëj punën e vet është thjesht ..epik!
Patronazhistët e ekraneve kanë aftësinë mahnitëse të flasin pa pushim dhe të mos thënë absolutisht asgjë, kanë kurajon që kur thirren për të folur për Tiranën, të flasin për Zimbabven dhe kur pyeten për krime të policisë shqiptare të tregojnë me detaje krimet e FBI. Patronazhistët e ekraneve- asnjëherë nuk janë shpërblyer aq sa e meritojnë. Të paktën në ligjin e ri për dekoratat duhet parashikuar një medalje për to.