Bota Trump kritikon Biden: Pas tankeve vijnë kokat bërthamore. Duhet t’i japim fund...

Trump kritikon Biden: Pas tankeve vijnë kokat bërthamore. Duhet t’i japim fund kësaj lufte të çmendur

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vendimin e Joe Biden për të dërguar tanke në Kievit.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth, ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehet se pas kësaj do të vijnë armët bërthamore, ndërsa apelon për dhënien fund të konfliktit gati 1-vjeçar.

“Së pari vijnë tanket, pastaj kokat bërthamore. Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte të çmendur tani. Është kaq e lehtë”, shkruan ai.

Një ditë më parë administrata Biden vendosi dërgimin e 31 tankeve “Abram” për forcat e Kievit, në bashkëpunim edhe me Gjermaninë, e cila do dërgojë tanket “Leopard”.

Të enjten, forcat ruse filluan një seri sulmesh me raketa dhe dronë në disa pjesë të Ukrainës, duke shkaktuar viktimat e para për këtë vit në Kiev, edhe pse mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi një pjesë të tyre.

Sulmet janë në vazhdën e strategjisë së fundit të Rusisë për ndërmarrjen e sulmeve të mëdha çdo dy javë. Sulmi ndodhi një ditë pasi Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën të rrisin kontributin në luftën kundër Rusisë, duke premtuar se do të dërgojnë tanke të teknologjisë së lartë në Ukrainë dhe duke u dhënë dritën jeshile edhe aleatëve të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.