Kryesore Përjashtohet me 10 ditë nga Kuvendi Berisha dhe disa deputetë të PD

Përjashtohet me 10 ditë nga Kuvendi Berisha dhe disa deputetë të PD

Përjashtohet me 10 ditë nga Kuvendi, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe katër deputetë të PD.

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etike është mbledhur këtë të premte në Kryesinë e Kuvendit. Mbledhja erdhi pas kërkesës së PS për masë disiplinore për disa deputetë të PD-së.

Socialistët kërkuan përjashtimin për 10 ditë nga punët e Kuvendit të kreut të demokratëve, Sali Berisha dhe deputetët, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho dhe Edi Paloka.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura.

Kërkesa e socialistëve erdhi pas seancës së ditës së djeshme, e cila nuk u zhvillua në kushte normale ndonëse kishte një sërë projektligjesh dhe vendimesh për të diskutuar. Parashikohej një seancë e gjatë, por zgjati 15 minuta.

PD kërkoi debat me kryeministrin për hetimet ndaj ish-zyrtarin e FBI-së. Ata e akuzojnë kryeministrin dhe bllokuan foltoren e Kuvendit. Berisha këmbënguli për mocion me debat, por kjo nuk u pranua nga mazhoranca.