Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, u shpreh në një konferencë shtypi se “SPAK duhet të kishte nisur me kohë hetimet shumë të thelluara” në lidhje me “aferën shumë të rëndë korruptive shtetërore McGonigal”.
“Çdo shqiptar është njohur me dokumentet zyrtare të drejtësisë amerikane që provojnë angazhimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës në procesin mafioz të asgjësimit të demokracisë, pluralizmit politik dhe shtetit ligjor në Shqipëri nëpërmjet aferës shumë të rëndë korruptive shtetërore “McGonigal”. SPAK duhet të kishte nisur me kohë hetimet shumë të thelluara për këtë skandal, që provon të gjitha akuzat konkrete të opozitës se Edi Rama e ka shndërruar institucionin e Kryeministrit në një çerdhe korrupsioni, nepotizmi, manipulimi dhe trafikimi mafioz të influencave”, tha Meta.
“Për zbardhjen deri në fund të këtij skandali, në dritën e provave të pakundërshtueshme të zbuluara nga drejtësia amerikane, por edhe fakteve të reja të publikuara në media për angazhimin edhe të ministrave, deputetëve, oligarkëve dhe zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë shqiptare në aferën “McGonigal”, SPAK duhet të vendoste një komunikim intensiv, serioz dhe shumë të ngushtë me institucionet e drejtësisë amerikane. Mosveprimi i SPAK për nisjen zyrtare të hetimeve për këtë skandal shkon në të kundërt me interesat dhe sigurinë kombëtare, por edhe me pritshmëritë e larta të shqiptarëve sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta shtetërore dhe pandëshkueshmërisë”, shtoi kreu i PL-së.
“Është kjo arsyeja pse Shqipëria, sipas “Transparency International” nuk ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, duke shënuar një rritje vjetore krejtësisht të papërfillshme me vetëm me 1 pikë për të qëndruar në të njëjtën nivel me Serbinë, Turqinë, Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën. E bashkëndaj të njëjtin qëndrim me Këshilltaren Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, Lidija Prokiç e cila theksoi se ndryshimi prej një pike nuk është statistikisht i konsiderueshëm dhe konsiderohet si shenjë mospërparimi. Me shumë të drejtë zyrtarja e lartë e “Transparency International” theksoi se “Shqipëria ka ngecur në vend në luftën ndaj korrupsionit duke mos bërë punë të mjaftueshme për garantimin e parimeve bazë të demokracisë mbi ndarjen e pushteteve, pasi autoritetet qeveritare kanë ende ndikim mbizotërues në veprimtarinë e institucioneve të pavarura”, theksoi Meta.