Në një komunikim të parë për mediat pas tërmetit tragjik, presidenti turk Tayip Erdogan tha se deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në Turqi.
“Po vijon pjesa e transportimit me ushqime, veshje e mjete në zonat e goditura nga tërmeti si masë nga autoritetet turke për të përballuar pasojat e tërmetit. Është dimër, është ftohtë, tërmeti ndodhi në orët e natës dhe në një mot aspak favorizues. Deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në zonat e prekura të Turqi. Janë rreth 5835 të plagosur dhe 2818 godina të shkatërruara, tregues i tërmetit katastrofik. 2470 persona janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan tha se do bëhet gjithçka për përballimin e kësaj situate dhe se ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë me punën minutë pas minute për nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat.
“Një pjesë e mirë kanë ndërruar jetë, janë afro 9 mijë veta në ekipet e shpëtimit. Po punohet për të nxjerrë nga rrënojat personat që kanë mbijetuar, puna vijon minutë pas minute. Në Ankara ka mbërritur grupi koordinator me drejtues zëvendëspresidentin”, tha Erdogan.
Sipas kreut të shtetit turk janë 10 qarqe të prekura nga tërmeti i magnitudës 7.8 të shkallës Rihter.
“Kjo është fatkeqësia më e madhe e vendit që nga viti 1939”, u tha Erdogan gazetarëve.