Në fund të ndeshjes Real Madrid-Bayern Munich, e përfunduar me rezultatin 4-2, Cristiano Ronaldo mori topin me të cilin e luajt takimi, pasi shënoi 3 gola, një dhuratë për këdo që arrin të shënojë tripletë.
Ishte topi i 41-të që koleksionon ylli portugez me fanellën e Real Madrid, ndërsa me Manchester United këtë e ka bërë vetëm njëherë. Me kombëtaren e Portugalisë edhe në dy raste të tjera.
Një makinë golash. Të gjithë topat e dhuruar si trofe të ndeshjeve, ai i ka vënë në një kënd të muzeut të tij, ku janë shumë e shumë tituj të tjerë të fituar gjatë karrierës së tij, përfshi edhe 4 “Topa të Artë”.
Mbrëmë shënoi me kokë, me këmbën e majtë dhe me këmbën e djathtë. Të dhëna se sa i kompletuar është ai, duke përdor të gjithë arsenalin që zotëron. Për të nuk ka rëndësi, po u ndodh në pozicion goli, nuk të fal.
T’i shënosh pesë gola Bayern Munich në dy ndeshje, vetëm Cristiano Ronaldo e ka bërë. Tripletën e parë sulmuesi madrilen e ka shënuar në vitin 2010, një sezon pasi kishte veshur fanellën e Real-it. Tripleta e mbrëmshme ishte e gjashta në Champions League.
Ai ka realizuar dy edhe në Kupën e Mbretit, si dhe një të tillë në Kupën e Botës për klubet. Goli i tij i dytë dhe i tretë ndaj bavarezëve, mbrëmë në “Bernabeu”, u goditën nga polemika të shumta.
Në Mynih shënoi golin e 100-të në Champions League, duke qenë i pari futbollist që e arrin këtë numër.
Ndërsa me tre golat e mbrëmshëm, numri shkon në 103, 10 më shumë se rivali i tij Lionel Messi.
Ronaldo ka shënuar tashmë 518 gola në 711 paraqitje të tij me “Los Blancos”, në total, duke u kthyer në legjendë me këtë klub dhe emrat e mëdhenj i ka lënë pas.
Tani ai kërkon Champions League e katërt, 2 herë e ka fituar me Real Madrid dhe 1 herë me Manchester United. Dhe natyrshëm, nëse do ta fitonte sërish, duke qenë edhe afër titullit kampion në La Liga, do të merrte sërish “Topin e Artë”, çka do të ishte i pesti, aq sa Messi.