Politika Rama: Do të ndjekim në rrugë ligjore nxjerrjen e të dhënave të...

Rama: Do të ndjekim në rrugë ligjore nxjerrjen e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të PS

Kryeministri Edi Rama thotë se Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore “nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj”.

Rama tha përmes një postimi në rrjetet sociale, se ky rrjet social është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.

“Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 Maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve, Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, shkruan Rama.

Aplikacioni “Aktivist” u prezantua nga Partia Socialiste në prill të vitit të shkuar. Në atë kohë, u njoftua se pjesë e atij aplikacioni mund të bëhej çdo person e jo vetëm anëtarët e Partisë Socialiste.

Në lidhje me këtë aplikacion, opozita ka hedhur akuza ndaj Partisë socialiste dhe ka kërkuar hetim nga SPAK. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj, u shpreh me 6 Shkurt, se punonjësit publike janë urdhëruar që të shkarkojnë aplikacionin dhe të pëlqejnë apo shpërndajnë postimet e ministrave të qeverisë.