Dy persona janë vënë në pranga në Vlorë pasi u kapën duke shitur mina me telekomandë.
Sipas policisë, të rinjtë do t’i shisnin minat për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 mijë euro. Mësohet se janë sekuestruar 3 mina të montuara me eksploziv, të lidhura me celular për t’u komanduar në distancë.
“Finalizohet si rezultat i një hetimi disajavor, të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Knockout”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, që ka si synim krimet kundër personit dhe pronës.
Tentuan të shisnin mina me telekomandë, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, në qytetin e Vlorës.
Sekuestrohen 3 mina të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i një hetimi disajavor me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knockout”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
B. U., 31 vjeç dhe A. Q., 21 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisnin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.