Aktualitet Goditën me grushte mjeken në orën 2 të natës dhe dëmtuan dyert...

Goditën me grushte mjeken në orën 2 të natës dhe dëmtuan dyert e spitalit, në pranga dy persona

Dy persona janë arrestuar tre të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pasi dhunuan një mjeke në QSUT dhe dëmtuan dyert e dritaret e këtij spitali.

Në flagrancë u arrestuan I. S. 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ndërsa janë proceduar penalisht K. S. 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh. 47 vjeç dhe A. M. 55 vjeç.

Këta persona, rreth orës 02:00 të natës, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre që mjekohej, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.

Po kështu, ata nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.