Aktualitet SPAK-u nuk merr përsipër “21 Janarin”

SPAK-u nuk merr përsipër “21 Janarin”

Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompentencë për kallëzimet e 21 janarit që ka bërë Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste për 21 janarin.

SPAK ia ka kaluar dosjen Prokurorisë së Tiranës për hetim.

Kallëzimet në SPAK nga ana e PS erdhën pasi publikimit në media të disa transkriptimeve të një audio-përgjimi në të cilin tregohej komunikimi mes gardistëve ditën e 21 janarit, ku 4 persona mbetën të vrarë në shesh nga armët e shtetit.

PS kërkoi që SPAK të zbardhë 21 janarin, duke kallëzuar penalisht për vrasje në rrethana cilësuese ish-kryeministrin Sali Berishën, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës Ndrea Prendin.

Në kallëzimin e bërë nga PS dhe Ministria e Drejtësisë thuhet se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë për të shtënë ndaj personave të pafajshëm. PS thotë se s’ka qytetar që nuk e ka kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha.