Kryesore Rama: 13 shkurti, ditë zie kombëtare për viktimat e tërmetit në Turqi...

Rama: 13 shkurti, ditë zie kombëtare për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri

E hëna e 13 shkurtit do të jetë ditë zie kombëtare. Kjo në nder të viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti i fortë me magnitudë 7.8 në Turqi dhe Siri.

Vendimi është marrë nga Qeveria dhe është i ditur nga kryeministri Edi Rama.

“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë.

Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, shkruan Rama në Facebook.

Deri më tani, në Turqi dhe Siri kanë humbur jetën të paktën 23 mijë persona nga tërmeti shkatërrimtar.