Ndeshja e futbollit mes Shkumbinit dhe Delvinës, e vlefshme për Kategorinë e Dytë është ndërprerë nga arbitri për shkak të një sherri mes stafeve të të dy ekipeve.
Gjatë ndeshjes, në momentin kur ekipi i Delvinës shënoi gol, stafi i ekipit të Shkumbinit është konfliktuar me stafin e ekipit të Delvinës dhe për këtë arsye arbitri kryesor ka ndërprerë ndeshjen.
“Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, që ndodheshin në sigurimin e perimetrit të jashtëm të stadiumit, kanë ndërhyrë në stadium duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë bërë sigurimin e të dy ekipeve, K.F. Delvina dhe K.F. Shkumbini”, tha policia.
Autoritetet thanë se kanë proceduar penalisht për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasit F. H., 52 vjeç, banues në Peqin, me detyrë shefi i klubit të futbollit të K. F. Shkumbini dhe shtetasin A. G. 66 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë, trajner i klubit të futbollit të K. F., Delvina.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, pas vendimit të arbitrit për mos rifillimin e ndeshjes, kanë bërë shoqërimin deri në dalje të territorit të qarkut Elbasan, të lojtarëve dhe të stafit të ekipit të Delvinës.