Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se ka qenë një nga personat e përgjuar gjatë administratës “Obama”. I ftuar në “Top Story”, Berisha u shpreh se në kohën që ishte në pushtet kishte urdhëruar që asnjë ambasador i vendeve të NATO-s të mos përgjohej.
“Edhe unë jam përgjuar, telefoni im është përgjuar nga Barack Obama. Kur doli lista, Obama kishte kërkuar dhe regjistrimin tim. Unë kisha dhënë urdhër që të mos përgjohet asnjë ambasador i NATO-s. Unë them atë që kisha dhënë, ky ishte koncepti im. Vjen njëherë një ambasador. Më thotë: “Mua më regjistrojnë”.
I thashë, që po të qe regjistruar merr vendin tënd, se po të përgjojnë shërbimet armike, sepse vendi ynë nuk e bën pasi kam dhënë urdhër. Ajo më shërben si garanci, se i thashë më nxirr një fakt. Do përgjojë kryeministri i Shqipërisë presidentin e SHBA, për çfarë i duhet? Prandaj i thosha nuk keni asnjë fakt mbi tokë atyre që më shpallën “non grata” – tha Berisha që më pas u shpreh i sigurt se Rama është nën hetim në SHBA për aferën “McGonigal”.
“Dallimi si nata me ditën, ka një dokument gjykata që autorizon hetimin në çdo gjë të Edi Ramës, ai është person nën hetim dhe të garantoj se e kam nga juristët më të shquar të atij vendi. Ai nuk është në ndjekje penale por në hetim është 100%. Atë nuk e thërrasin sepse i kanë marrë çdo komunikim e çdo dokument nga viti 2017 deri më sot. Që është nën hetim e ke të sigurt mos e diskuto që i kanë marrë çdo dokument, prandaj është i axhituar ai. Unë nuk them se mund të merret i pandehur se ka imunitet diplomatik”, tha Berisha.
“Unë do e takoja me kënaqësi zyrtarin e FBI-së, por jo me Agron Nezën, me ambasadorin e tij, unë kam takuar persona shumë të lartë të CIA-s dhe i kam prit me ambasadorin e SHBA-së dhe dy këshilltarë të mi. Asnjëherë nuk i kam pritur vetëm por të shoqëruar, Po të më vinte me dy individë të tjerë do të merrja me vete personin që kam për sigurinë kombëtare”, tha Berisha.