Aktualitet “Shenjë e forcës së grupeve kriminale në Shqipëri”, Financial Times artikull për...

“Shenjë e forcës së grupeve kriminale në Shqipëri”, Financial Times artikull për kamerat në Shqipëri

Prestigjiozja ‘Financial Times’ i kushton një artikull operacionit policor në Shqipëri për heqjen e kamerave të paligjshme në rrugët e qyteteve.

Qindra kamera janë çmontuar deri tani në Shkodër, Durrës, Pogradec, Lushnjë, Shijak, Krujë, por edhe në Tiranë, dhe sipas prestigjiozes britanike ky fenomen, i përkufizuar si “skandal”, tregon fuqinë e grupeve kriminale në vendin tonë.

Sipas artikullit, rreth gjysma  e këtyre kamerave të sigurisë në dorë të kriminalitetit ndodhet në kryeqytet, ndërkohë që fenomeni që nxiti operacionin u pikas në Shkodër, pas shpërthimit në banesën e një efektivi të policisë.

Artikulli tregon për mënyrën sesi grupet kriminale kontrollojnë lëvizjet e forcave të rendit por veçanërisht ato të grupeve rivale, kartele që sipas FT punësojnë tashmë “mijëra familje”, duke ndërthurur miqësi dhe interesa që shkojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike tek pastrimi i parave.

Financial Times citon edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit “kjo është një situatë ku ne akuzohemi edhe në qoftë se nuk marrim vendim, si dhe kur e marrim”.

‘Financial Times’, ndër të tjera në artikull ka rikujtuar kritikat e Komisionit Europian për ligjin e amnistisë fiskale.

Nismë e cila sipas Bashkimit Europian do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërsa opozita ka qenë më ashpër duke theksuar se amnistia fiskale do të favorizonte pikërisht këto grupe kriminale

Financial Times ka përmendur gjithashtu një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit ku shkruhet se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të luftuar ndikimin e krimit të organizuar.