Kryesore Protestuesi me një kalë para Parlamentit që mori vëmendjen e të gjithëve...

Protestuesi me një kalë para Parlamentit që mori vëmendjen e të gjithëve dhe paralajmërimi i Berishës për mocionin

Opozita ka protestuar këtë të enjte para godinës së Parlamentit ndërkohë që brenda saj zhvillohej një seancë e  mbushur me debate. Opozitarët e kryesuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama nga drejtimi i qeverisë, për shkak të lidhjeve të tij me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.

Në protestë u hodhën tymuese dhe shashka drejt Parlamentit, ndërsa ra në sy edhe një protestues i veçantë, i cili u vendos para policëve me veshje popullore hipur mbi një kalë të bardhë.

Nga protesta e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se nëse nuk bëhet mocioni me debat në Parlament do të shkojnë në Surrel, aty ku sipas Berishës ndodhet kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se Surreli do të jetë objekt i revolucionit paqësor.

“Ai mocion po nuk u bë në Parlamenti, do të bëhet në Surrel, paqësor. Simboli i të keqes është Surreli, ai nuk pranon të vijë këtu, atje. Ne do të shkojmë atje ku struket ai, paqësisht do ja numërojmë të gjitha të mocionit. Po të dojë të japë. Surreli do të jetë objekt i revolucionit paqësor. Shkojmë ne aty karshi dhe i themi që kemi 13 pyetje, o sulltan. Revolucioni nuk ndalet, të jeni të sigurtë që do të fitojmë“, tha Berisha.