Luiz Ejlli është kthyer në fenomenin e këtij edicionit të “Big Brother”, ndërsa ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm.
Të shumtë janë fansat e tij, që e kanë mbështetur si në rrjetet sociale, ashtu edhe me prezencën e tyre jashtë shtëpisë. Historia e këngëtarit shkodran ka bërë për vete ndjekësit, duke e cilësuar si një djalë kurajoz dhe shumë të zgjuar.
Nga ana tjetër edhe vetë këngëtari ka folur për jetën e tij, që duhet thënë ka pasur shumë ulje-ngritje. Që në fillim të edicionit ai ka filluar që të paraqitet si një njeri i thjeshtë duke mos përmendur shkollimin e arritjet derisa është dashur që të tregoj për jetën e tij në një lojë që iu dha.
Ai i habiti të gjithë banorët kur u tregoi se është jurist se kishte punuar si noter dhe kishte zyrën e tij ku punoi për disa vite, madje ai ishte edhe diplomat në Francë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision” si këngëtar.
Kjo ka bërë që nga publiku të admirohet kaq shumë si një njeri me shumë arritje në jetë, por që pëlqen të tregohet shumë i thjeshtë, madje në një bisede me Oltën ka thënë se nëse e fiton çmimin do blej një shtëpi se është me qira.
Por, një video që qarkullon në rrjetin social “Tik Tok”, thuhet që Luizi ka mjaft pasuri ku zotëron tri shtëpi, një në vendlindjen e tij në Shkodër, një në Francë ku ka jetuar për disa vite dhe një shtëpi në Tiranë aty ka ku jetuar kohëve të fundit.
Në fakt, kjo është një sajesë që qarkullon. Kjo për faktin se në fakt këngëtari në Paris ka qëndruar me qira, duke qenë se nuk kishte një apartament të tijin.
Pas largimit nga Franca ai gjeti punë pranë KESH-it, duke bërë që të qëndrojë me qira edhe në Tiranë. E vetmja banesë që ai ka është në Shkodër, dhe është pikërisht një pronë e përbashkët që e ka me familjarët e tij.
Bëhet fjalë pikërisht për shtëpinë ku këngëtari u lind dhe u rrit në Shkodër. Sa i përket makinave luksoze që paraqiten, duket se janë shumë larg realitetit të tij. Kjo për faktin se në Tiranë më shpesh e kemi parë në këmbë Luizin sesa në një mjet.
Ndërsa sa i përket lëvizjeve të tij në Paris, makinat ishin pronë e shtetit, duke qenë se Luizi mbante një post të rëndësishëm në ambasadë, kishte të drejtë t’i përdorte. Por, me t’u larguar nga puna e tij në Paris, Luizi vendosi të bënte jetën e tij si noter në Tiranë.
Edhe këtu nuk kanë qenë të lehtë hapat e tij. Pasi ia doli të kishte zyrën e tij, duket se puna nuk po i shkonte si duhej, për këtë arsye licenca iu hoq, duke qenë se kishte dy vite pa ushtruar vulën e tij. Nga jeta si artist e pastaj diplomat, Luizit iu desh shumë të përshtatej në lëkurën e re si noter.
Duke mos u futur dot në këtë treg e duke qëndruar larg miqve e kolegëve të tij në këtë fushë, Luizi ka lëshuar zyrën që ka pasur me qira për biznesin e tij disa muaj më parë.
Pas jetës së mirë që bënte si diplomat në Paris, artisti nga Shkodra, u ndesh me vështirësi të mëdha ekonomike në Tiranë. Krejt i vetëm, duke qenë se pjesën tjetër të familjes e ka në SHBA, Luizit iu desh të niste një punë në KESH, por duhet thënë se edhe këtë punë tashmë e ka humbur.
Këngëtari Luiz Ejlli para se të bëhej pjesë e formatit televiziv ka punuar si specialist i nivelit të lartë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare me rrogë më pak se 1 milion lekë të vjetra.
Ejlli deklaron se KESH-i ka ndërruar mendje për dhënien e lejes gjatë kohës që ai do të ishte pjesëmarrës në BBV2 dhe e ka ritelefonuar për t’i thënë se nuk munden t’i japin leje nga frika se mund t’u prishë imazhin. Në atë moment, këngëtari rrëfen se është larguar.
“Firmosa kontratën me ‘Top’-in dhe dy ditë para se me hy mrenë më marrin në telefon e më thonë nuk ta japim dot lejen se më thanë që ‘mund të na prishësh imazhin’. Në ç’kuptim i thashë jua prish imazhin? Se mren mund të bësh naj budallallik, naj gomarllik, se mund të bëhesh problem dhe se kur të dalësh nga aty do vish në punë këtu dhe do thojnë ‘u ky që ka bo atë, punon në KESH. Dhe unë i thashë ‘ok’ s’po jua prish imazhin”, deklaroi Ejlli para kamerave, duke deklaruar se tashmë është pa punë.
Vetë në deklaratat e tij, Luizi e ka deklaruar se “Big Brother” është tentativa e fundit që po bën për të rregulluar jetën e tij në Tiranë, në mos do të largohej përfundimisht në SHBA, ku ka familjen.
“Dhe i thashë vetes futu dhe fokusohu në lojë. E kisha stakuar trurin, doja ta mbyllja këtë gjë këtu, të shkojë si të shkojë, dhe në varësi se si do më shkonte këtu, do vendosja për jetën time jashtë. A do rrija më në Shqipëri apo do ikja në Amerikë. Thosha nëse nuk më ecën te ‘Big Brother’-i, e kisha bërë në plan me e mbyll me Shqipërinë, komplet. S’do kthehesha më.
Do bëja një ‘restart’ tjetër atje. Dhe e ndava mendjen. Tani kur hyra këtu, këtu ku jam ulur ishte Kiara dhe kur e pashë ‘live’ ishte gjë tjetër. Kiara më ka dalë jashtë parashikimeve, se shumë gjëra i kisha parashikuar. S’e edhe kur e pëlqeva nuk e dija që do e doja kaq shumë sa për të mos më zënë gjumi. Më rrinte mendja tek ajo”, u shpreh Luizi gjatë një bisede me Kristin.
Nga ana tjetër edhe vetë Kiarës ia ka thënë se jashtë nuk ka asgjë, as punë, as lekë, as shtëpi, duke i thënë se për të do të jetë gjithçka nga e para jashtë.
Por ai ende nuk e di që jashtë shtëpisë, Luizi është bërë nga imazhet më të dashura.
Të shumtë janë drejtuesit e bizneseve që kanë bërë gati kontratat e majme për konkurrentin e “Big Brother”, duke i propozuar shuma që mund ti ndryshonin jetën.
Nga ana tjetër, gjatë ditëve në vijim, pritet që Luizi të jetë një nga banorët që do të hapë Kutinë e Pandorës, ku si trofe do të ketë pikërisht një nga këto kontrata që do të firmosë sapo të lërë shtëpinë.