Aktualitet Apeli lë në burg Alda Klosin

Apeli lë në burg Alda Klosin

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arresti në burg’ për ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave, Alda Klosi, e cila akuzohet për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore”.

Sipas Prokurorisë, “në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases A.K., e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale”.

Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases A. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.

“Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të”, tha Prokuroria.

Më parë, Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin e pasurisë së xhaxhait të Alda Klosit. Ajo ra pre e vjedhjes nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi. Ish-zyrtarja deklaroi se 120 mijë eurot që ia kishin vjedhur, ishin të familjes së xhaxhait të saj, Ylli Çika, që jetonte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer. Ai ndërroi jetë më 18 janar.