Aktualitet “Njeri jam dhe unë…”, babai që vrau djalin me çekiç fut kokën...

“Njeri jam dhe unë…”, babai që vrau djalin me çekiç fut kokën poshtë tavolinës

77-vjeçari Shefki Bylykbashi do të qëndrojë në burg. Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë dha ditën e sotme masën e sigurisë për babain i cili të premten (17 Shkurt) vrau me çekiç djalin e tij, Hamdiun.

Bylykbashi kërkoi që të mos filmohet. Për këtë arsye ai futi kokën poshtë tavolinës.

“Mos u tallni me mua, njeri jam dhe unë”, thotë ndër të tjera 77-vjeçari.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura i moshuari ka shfaqur pendesë për krimin e kryer, ndërsa ka deklaruar se vrasjen e bëri për t’u mbrojtur.

Me lot në sy, 77-vjeçari ka rrëfyer para togave të zeza të gjithë dinamikën e ngjarjes, ndërsa ka thënë se i biri Hamdi Bylykbashi e dhunonte vazhdimisht ndërsa ishte edhe konsumues i rregullt i alkoolit.

Avokati i të moshuarit ka deklaruar se Bylykbashi e ka kryer krimin e rëndë në kushtet e vetëmbrojtjes.

Shefki Bylykbashi e goditi djalin disa herë në kokë me çekiç duke i shkaktuar vdekjen. Në fillim ngjarja u raportua si aksidentale, por më pas policia zbuloi se kishin të bënin me vrasje. Djali, Hamdiu, 50 vjeç ishte konfliktuar me të atin dhe kishte tentuar që ta hidhte në pusin e ujit në oborr, por ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e goditur me çekiç në kokë. Shefki Bylykbashi e pranoi më pas se e kishte vrarë vetë djalin.

“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte çdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më”, tha ai para policisë.

Viktima, Hamdi Bylykbashi ishte i divorcuar nga bashkëshortja dhe jetonte jashtë shtetit, ndërsa kishte disa muaj që ishte i kthyer nga Franca. Sipas dëshmitarëve, prej kësaj situate ai konsumonte alkool çdo ditë.