Aktualitet Apeli e la në burg, flet avokati i Alda Klosit: Vendimi i...

Apeli e la në burg, flet avokati i Alda Klosit: Vendimi i paligjshëm, shëndeti i saj ende në rrezik

Menjëherë pas marrjes së vendimit të Apelit që la në burg ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave, Alda Klosi, ka folur për gazetarët avokati i saj, Ilirjan Muho, sipas të cilit, masa është e paligjshme, pasi klientja e tij ka deklaruar gjithçka që ka pasur deri në momentin kur ka qenë subjekt i deklarimit.

“Klientja ka deklaruar gjithçka që ka pasur në pronësi të saj deri kur ka qenë subjekt i deklarimit. Në gusht të 2022-t ajo nuk është subjekt i deklarimit, në momentin kur është larguar nga detyra. Ajo që është më e rëndësishme, shuma e parave të marra hua nga vëllai i saj nuk ka asnjë detyrim Alda Klosi të deklarojë për to, pasi sipas ligjit, vëllai i saj nuk është subjekt i lidhur me subjektin e deklarimit. Alda Klosi nuk mund të fajësohet për gjërat që nuk është pyetur. Ajo u pyet për mënyrën se si u vodhën paratë nga banesa e saj, ndërsa i vëllai për mënyrën se si u siguruan këto para, ku është thënë burimi i tyre dhe arsyeja se përse i duheshin këto para”, tha Ilirjan Muho, avokati i Alda Klosit.

Ai foli gjithashtu edhe për gjendjen shëndetësore të klientes së tij, për të cilën tha se është përmirësuar pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore ne QSUT, por që duhet mbajtur në mbikëqyrje, pasi është ende në rrezik.

“Alda Klosi është person që pas ndalimit kaloi një periudhë jo të mirë shëndetësore, u kurua në QSUT, doli në gjendje të përmirësuar, por sipas kartelës ajo duhet mbajtur nën vëzhgim pasi gjendja e saj mund të përkeqësohet”, tha Muho.