Bota Të paktën 6 viktima nga tërmeti i së hënës në Turqi

Të paktën 6 viktima nga tërmeti i së hënës në Turqi

Ka shkuar në të paktën 6 numri i viktimave nga tërmeti që goditi të hënën në mbrëmje rajonin kufitar të Turqisë dhe Sirisë. Tërmeti i së hënës, këtë herë me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, ishte me qendër pranë qytetit jugor turk të Antakias dhe u ndje në Siri, Egjipt dhe Liban. Ai goditi në një thellësi prej 10 km, tha Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane.

Ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca tha se të paktën 294 persona u plagosën. Si pasojë e lëkundjeve shumë prej ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i 6 Shkurtit u shembën ndërsa paniku mbizotëroi tek banorët, që dolën të frikësuar nëpër rrugë.

Numri i të vdekurve nga tërmetet e dy javëve më parë u rrit në 41,156 në Turqi, tha të hënën AFAD dhe pritet të rritet më tej, ndërsa 385,000 apartamente janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë dhe shumë njerëz janë ende të zhdukur.

Presidenti Erdogan tha se puna e ndërtimit në gati 200,000 apartamente në 11 provincat e goditura nga tërmeti të Turqisë do të fillojë muajin e ardhshëm.

Në total, numri i viktimave në Turqi e Siri nga tërmeti i 6 Shkurtit ka shkuar në mbi 47,000.