Bota Putin njofton pezullimin e Rusisë nga traktati i armëve bërthamore: Marrëdhënia me...

Putin njofton pezullimin e Rusisë nga traktati i armëve bërthamore: Marrëdhënia me SHBA ka degraduar plotësisht

Ka zgjatur rreth dy orë fjalimi i presidentit rus Vladimir Putin në Moskë. Gjatë fjalimit Putin diskutoi një sërë temash, duke përfshirë luftën në Ukrainë, ekonominë e Rusisë dhe përfshirjen e Perëndimit në mbështetje të Kievit.

Në përfundim të fjalës së tij ai theksoi se ka pezulluar pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e armëve bërthamore.

“Jam i detyruar të njoftoj sot se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e armëve sulmuese strategjike”, u tha Putin ligjvënësve.

Duke u ndalur te marrëdhëniet me SHBA-të, Putin i cilësoi ato si të degraduara plotësisht.

Ai pretendoi se SHBA-të po prishin një strukturë të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore për shkak se duan të kontrollojnë të vetëm botën.

Putin shtoi se Rusia duhet të jetë gati për të rifilluar testet e armëve bërthamore nëse SHBA-ja e bën këtë.

Kërkesat perëndimore për të inspektuar objektet bërthamore të kontrolluara nga Rusia janë “krejtësisht absurde”, tha ai, duke shtuar se SHBA dhe NATO kanë deklaruar se objektivi i tyre është të mposhtin strategjikisht Rusinë.

Traktati për Reduktimin e Armëve Strategjike (2010), u nënshkrua për herë të parë në 1991 dhe u pasua nga New START në vitin 2010. Ky traktat kufizon numrin e raketave balistike ndërkontinentale në SHBA dhe Rusi.