Ndërkohë që në sallën e Kuvendit po zhvillohet seanca plenare e shoqëruar me debate, jashtë Parlamentit opozita po proteston.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në fjalën e tij drejtuar protestuesve se mazhoranca po shkel të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës.
Berisha theksoi se ata po pengojnë ngritjen e komisioneve hetimore për Kryeministrin pasi sipas tij do dilnin në pah aferat e tyre.
“Kjo është një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës e cila shkelmohet nga banditë, nga porositës të vrasjes e patrollë të klaneve e krimit. Kjo kushtetutë i garanton deputetit, me mbledhjen e 28 firmave krijimin automatik të komisionit hetimor për problemet që këta 28 të votuar nga zgjedhësit, gjykojnë se duan të sjellin të vërtetën mbi këtë çështje.
Kurse, trafikantë dhe kukulla pa asnjë dinjitet të Edi Ramës u bllokojnë këtë të drejtë deputetëve të opozitës. Kërkojmë hetimin e fluturimeve të Edi Ramës, 137 fluturime me taksat tuaja, djersën tuaj dhe mundin tuaj. Kurse fëmijët tuaj largohen. Këta na mohojnë ne të drejtën kushtetuese të komisioneve hetimore sepse me to do të dalin lakuriq siç janë, më të zi se zifti me aferat e tyre.
Edi Rama kontraktoi si vrasës me pagesë McGonigal për të asgjësuar opozitën, de-facto të demokracisë shqiptare. Kurrë s’do të ekzistojë demokraci pa opozitë ndaj dhe ju jeni sot që besoni se opozita është jetike për një sistem të lirë. Për të gjithë ata shqiptarë që detyra e opozitës është të kontrollojë qeverinë”, tha Berisha.