Sport Shorti i Europa League: Juve sfidon Freiburg, Arsenal kundër Sporting. Man. United...

Shorti i Europa League: Juve sfidon Freiburg, Arsenal kundër Sporting. Man. United sërish në Spanjë

Skuadrat e mbetura në garë në Europa League, njohën kundërshtarët e fazës së 1/8. Goglat në Nion të Zvicrës përcaktuan çiftet që do të luajnë për biletën në çerekfinale.

Pasi kaloi me sukses Nantes në play-off, Juventusi tashmë do të ketë përballë Freiburgun. Gjermanët paraqiten në këtë sfidë si kokë serie, duke qenë se fituan grupin e tyre në Europa League.

Bardhezinjtë e drejtuar nga Allegri do ta luajnë ndeshjen e parë në shtëpi, më datë 9 mars. Takimi i kthimit në Gjermani do të luhet më 16 mars.

Test jo i lehtë edhe për Romën, që peshkoi Real Sociedad. Spanjollët janë protagonistë të një sezoni mjaft të mirë, pasi pozicionohen të tretët në La Liga.

Mbetet në Spanjë edhe Manchester United. Pasi kaluan Barcelonën, këtë herë Djajtë e Kuq do të kenë përballë Betis.

Ndërkohë, Arsenali, një tjetër prej skuadrave favorite për fitimin e trofeut, do të ndeshet me portugezët e Sporting Lisbona. Sevilla do të sfidojë gjigandët turq të Fenerbahçe, teksa shorti ishte relativisht i lehtë për Leverkusen dhe befasinë e këtij sezoni, Union Berlin.