Qindra qytetarë, ministra, ambasadorë e zyrtarë të tjerë marshuan këtë të premte në kryeqytet në mbështetje të qytetarëve ukrainas, të cilët prej 1 viti qëndrojnë fort përballë agresionit rus. Në fjalën e mbajtur në këtë manifestim të organizuar nga Bashkia e Tiranës, ambasadori ukrainas në vendin tonë, Volodymyr Shukrov shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë të OKB.
“Ashtu si një vit më parë armiku ka përqendruar mijëra tanke, armë të rënda, predha dhe avionë luftarakë në Ukrainën lindore. Pushtuesit rusë janë fokusuar tashmë me forcat tyre në shkallë të lartë ofensive dhe veprimet e tyre, me fokusin Donjeck e Luhansk. Mbrojtësit ukrainas kanë çliruar pothuajse gjysmën e territorit të pushtuar nga Rusia qëkur filloi ky pushtim. Ky proces do të vazhdojë derisa territori ukrainas dhe integriteti i tij të rivendoset brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Ukraina tashmë është mbuluar në gjak, por vazhdon të luftojë për nderin dhe lirinë pa kushte të një fitoreje në të cilën e beson”.
“Falenderoj partnerët e huaj. Falenderoj presidentin shqiptar, kryeministrin, kryetaren e parlamentit për solidaritetin dhe mbështetjen ndaj popullit të Ukrainës. Mirënjohje të veçantë për mbështetjen edhe nga kryesimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së OKB, për ndihmën financiare dhe ushtarake që qeveria e Shqipërisë i ka dhënë Ukrainës. Gjithashtu falenderoj edhe popullin shqiptar për ndihmën humanitare të fuqishme ndaj popullit të Ukrainës. Përgëzime nga zemra shkojnë edhe për bashkinë e Tiranës, kryebashkiakun Erion Veliaj, përfaqësuesit e qeverisë, partitë politike, ambasadorët miq, diplomatët e ambasadave të huaja, dhe të gjithë juve të pranishëm sot në këtë veprim për solidaritet ndaj popullit ukrainas.”
Në fund të fjalës së tij, ambasadori propozoi 1 minutë heshtje në kujtim të të gjithë jetëve të humbura gjatë kësaj lufte të tmerrshme.