Aktualitet Lumenj të tharë dhe liqene të zbrazur. Ekspertët paralajmërojnë një verë më...

Lumenj të tharë dhe liqene të zbrazur. Ekspertët paralajmërojnë një verë më të nxehtë për Europën

Varkat me pedale të bllokuara në breg, në buzë të liqenit Montbel në Francën jugperëndimore, më 21 shkurt.

Temperaturat e pazakonta të këtij dimri, nivelet e ulëta të shiut dhe mungesa reshjeve të borës në Europë kanë shënuar rënien e prurjeve të lumenjve dhe ujërave të liqeneve në të gjithë kontinentin. Ekspertët paralajmërojnë se mund të përsëriten thatësirat e rënda të vitit të kaluar dhe javët në vazhdim janë vendimtare.

Imazhet e shtretërve të tharë të lumenjve dhe liqeneve në tkurrje zakonisht jemi mësuar t’i shohim gjatë muajve përvëlues të verës por kjo po ndodh këtë vit edhe në dimër.

Një fillim jashtëzakonisht i ngrohtë dhe i thatë i vitit ka prekur një pjesë të madhe të Europës, duke përfshirë Francën qendrore dhe jugperëndimore, Spanjën veriore dhe Italinë veriore.

Çfarë do të thotë kjo për furnizimin me ujë

Sipas një studimi të publikuar në janar nga studiuesit në Universitetin e Teknologjisë së Grazit në Austri, i cili përdori të dhëna satelitore për të analizuar burimet ujore nëntokësore të botës, situata e ujit në Europë është bërë mjaft e pasigurt.

“Disa vite më parë, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që uji do të ishte problem edhe në Evropë, – tha Torsten Mayer-Gürr, një nga studiuesit, – ne duhet të mendojmë për furnizimin me ujë.”

Një periudhë e thatë që thyen rekord në Francë

Franca, e cila po përjeton thatësirën më të madhe në 60 vjet, së shpejti mund të ketë kufizime të ujit. Vendi vuajti 32 ditë radhazi pa asnjë reshje shiu, nga 21 janari deri më 21 shkurt”, tha Simon Mittelberger, një klimatolog në Météo-France, për CNN, periudha më e gjatë që nga fillimi i regjistrimeve në 1959.

Ai ka një efekt të dëmshëm në lumenjtë dhe liqenet e vendit, tha Mittelberger, por dhe në tokat e vendit.

Reshjet e borës gjithashtu kanë qenë të ulëta. Mungesa e borës në dimër mund të kërcënojë rezervat ujore në pranverë dhe verë, pasi ka më pak shkrirje bore për të mbushur lumenjtë.

Verën e kaluar, Franca pësoi thatësirën e saj më të madhe në histori, por këtë vit situata mund të jetë akoma më e keqe.

 

U ekspozuan shtretër liqenesh dhe kanale të thara

Nivelet e ujit në liqenin Garda janë aq të ulëta sa tani është e mundur të ecësh mes për mes tij. Pak muaj më parë, ky vendkalim nuk ekzistonte.

Tani është gjithashtu shumë më e vështirë të lundrosh në Venecia, pasi disa nga kanalet e saj janë bërë shumë të cekëta për të mbajtur gondolat në këmbë, pjesërisht për shkak të mungesës së reshjeve.

Qyteti i cili prej kohësh kishte frikë nga përmbytjet tani po përballet me problemin e kundërt.

Lumi më i gjatë i Italisë, Po, i cili përshkon zemrën bujqësore të veriut të vendit, ka 61% më pak ujë se zakonisht për këtë periudhë të vitit.

Varkat me pedale të bllokuara në breg, në buzë të liqenit Montbel në Francën jugperëndimore, më 21 shkurt.

Verën e kaluar, qeveria italiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për zonën përreth lumit Po, që përjetoi thatësirën më të keqe në 70 vjet.

Ambientalistët i druhen faktit se më e keqja nuk ka ardhur ende. “2023 sapo ka filluar, por po tregon shenja shqetësuese për sa i përket ngjarjeve ekstreme të motit dhe niveleve të thatësirës,” tha Giorgio Zampetti, menaxher i përgjithshëm i Legambiente, një grup mjedisor italian.

Frika për furnizimin me ujë

Njerëzit duke ecur në ishullin San Biagio përgjatë një brezi toke që më parë ishte zhytur në ujë, në liqenin Garda në Italinë veriore, më 21 shkurt.

Në Spanjë, e cila përjetoi vitin më të nxehtë të regjistruar vitin e kaluar, ka gjithashtu shqetësime për furnizimin me ujë.

“Ne nuk mund të garantojmë furnizim me ujë të pijshëm apo për përdorime ekonomike duke u mbështetur ekskluzivisht në shi”, tha së fundmi Teresa Ribera, ministre për Tranzicionin Ekologjik në një konferencë për shtyp.

Vendi ka miratuar planet për të investuar rreth 24 miliardë dollarë në menaxhimin e ujit, duke përfshirë masat për të përmirësuar kanalizimet dhe trajtimin e modernizimin e ujitjes.

Ka një shqetësim në rritje për shkak të mungesës së reshjeve në javët e fundit

Që nga viti 1980, uji mesatar i disponueshëm është ulur me 12%, me parashikime që mund të ketë një rënie të mëtejshme deri në 40% deri në vitin 2050.

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare”

Ndërsa Europa më parë është goditur nga thatësirat e verës, ekspertët tashmë kanë frikë se thatësira jashtëzakonisht e madhe e dy muajve të fundit mund të sinjalizojë një realitet të ri, shkaktuar pjesërisht nga rritja e temperaturave mesatare globale.

“Këto kushte ishin të rralla në të kaluarën, por ndryshimi i klimës po ndryshon regjimin e reshjeve në Europë dhe po i bën këto ekstreme më të përsëritura dhe më intensive,” tha për CNN Andrea Toreti, një klimatologe në Qendrën e Përbashkët të Kërkimeve të Komisionit Europian.

“Ka një shqetësim në rritje për shkak të mungesës së reshjeve në javët e fundit dhe gjithashtu duke marrë parasysh thatësirën e vitit 2022. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare”, tha Torerti.

Ndërsa Toreti tha se atribuimi i thatësirës së dimrit ndaj ndryshimeve klimatike kërkon një analizë specifike që nuk është kryer ende, ai shtoi se ngjarje të tilla “janë një efekt i pritshëm i ndryshimit të klimës përsa i përket ekstremeve më të shpeshta dhe intensive”.