Një autobus me targa shqiptare është aksidentuar rreth orës 23 e 45 minuta të së shtunës në një autostradë në drejtim të Zagrebit në Kroaci.
Sipas mediave kroate, një pasagjer 41-vjeçar ka humbur jetën ndërsa 7 të tjerë janë plagosur.
Mes të lënduarve është edhe shoferi i autobusit, një 58-vjeçar shqiptar i identifikuar si Adem Rexha. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë dhe disa ambulanca.
Autobusi ka bërë një devijim të fortë dhe më pas është përplasur me barrierat ndarëse derisa është përmbysur. Të plagosurit, të gjithë shtetas shqiptarë ndodhen në spital ndërsa autostrada qëndroi për disa orë e bllokuar për shkak të aksidentit.
Mediat vendase raportojnë se mes të plagosurve është një grua e moshuar në gjendje serioze. Autoritetet vijojnë hetimet ndërsa dyshohet se shkak është bërë moti i keq me stuhi bore që kishte përfshirë zonën.
Policia ka këshilluar drejtuesit që të udhëtojnë me shpejtësi të ulët në zonën ku ndodhi aksidenti.