Sport Mourinho dhe arti i manovrimit: Nuk është kurrë faji i tij!

Mourinho dhe arti i manovrimit: Nuk është kurrë faji i tij!

Palmaresi i trajnerit portugez nuk vihet në diskutim, ashtu si dhe eleganca në devijimin e vëmendjes nga zhgënjimet e skuadrës në fushë. Te Roma ka krijuar një klimë të bukur, por…

Këtë sezon Cremonese ka fituar 3 ndeshje nga 28 në total dhe në Serinë A vetëm 1, atë me Romën të martën që shkoi. Për Mourinhon është një goditje shumë e fortë, por siç është vënë re lehtë, edhe këtë herë po flitet për tjetër gjë dhe pak, shumë pak, për ndeshjen. Fokusi është te zënka e trajnerit me arbitrin e 4-t.

Mourinho është një trajner i madh, e tregon palmaresi i tij. Te Roma është bërë edhe një maestro i manovrimit, ose ndoshta ka qenë gjithmonë. U mund 6-1 nga Bodo Glimt, një nga humbjet më të rënda në historinë e klubit. Çfarë ndodhi? Përgjegjësit ishin 4-5 djem që ai vetë i futi në fushë. Të gjithë në shtëpi, nuk donte t’i shikonte më, mes tyre edhe Kumbullën.

Vuajti për të shkuar në Champions? Faji i organikës, edhe pse në skuadër ka Dybalan, Matic, Pellegrinin, Abraham, Cristanten dhe Smalling, tani edhe Spinazzola dhe Wijnaldum? Kur humb ndeshje të rëndësishme zihet me arbitrat. Ka gjithmonë një artefic të disfatës dhe gjithmonë jo ai. Edhe ky është një art: të ngatërrosh idetë, të përziesh kartat, të dalësh nga çdo situatë si viktimë dhe asnjëherë të mos kesh faj.

Prokuroria federale ka hapur një hetim së fundi për të kuptuar çfarë ndodhi mes Mourinhos dhe arbitrit të 4-t në ndeshjen me Cremonesen. Shumë mirë, duhet qartësi për fjalët që Serra i tha trajnerit. Dhe e kundërta, sigurisht. Pas asaj skene portugezi u ndëshkua me karton të kuq dhe përfundoi në tribunë.

Mourinho te Roma ka sjellë edhe gjëra të bukura, ka fituar Ligën e Konferencës, duke shfrytëzuar kualitetin e lojtarëve që për muaj me radhë i vinte në diskutim. Por mbi të gjitha ka krijuar një klimë mjaft të mirë në klub dhe me tifozët. Kur luan Roma, ‘Olimpico’ është gjithmonë plot.

Jose gjithsesi duhet të bëjë diçka tjetër, për shembull t’i japë një identitet apo një lojë më të mirë skuadrës. Dhe të mos e zvogëlojë vlerën e lojtarëve, për të cilët punëdhënësit e tij kanë shpenzuar jo pak. Dhe po të merrte përgjegjësinë për ndonjë humbje të rëndë, nuk do ishte keq. Por kjo ndoshta është e pamundur, sepse një viktimë s’mund të jetë përgjegjës…/Gazzetta dello Sport