Aktualitet MEPJ: Konfirmohen 4 viktima shqiptare nga aksidenti në Greqi (Emrat)

MEPJ: Konfirmohen 4 viktima shqiptare nga aksidenti në Greqi (Emrat)

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar sit se ndër viktimat që shkaktoi aksidenti tragjik hekurudhor në Larisa të Greqisë, 4 janë shqiptarë.

Në njoftim thuhet po ashtu se po pritet përgjigjia e ADN-së së një shqiptari tjetër.

“Pas komunikimit me autoritetet greke, MEPJ bën me dije se në rradhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurodhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas, Klaudia Lato.

Pritet përgjigja e ADN për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke. MEPJ i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, thuhet në njoftimin zyrtar të MEPJ.

Shërbimi mjekoligjor i Larisës i përbërë nga tre mjekë të specializuar nga Selaniku, Athina dhe Lamia të cilët kanë punuar më herët në identifikimin e trupave në aksidente të tjera tragjike janë vendosur në dispozicion në vendin e ngjarjes. Ata me mjete të posaçme së bashku me kamera po bëjnë të mundur që nëpërmjet ADN të identifikojnë trupat edhe pse shpresat sa vijnë edhe zbehen.

Rreth tre kilometra larg spitalit, në stacionin e trenit, kolegët e stacionistit që është arrestuar në lidhje me aksidentin nuk duan të flasin. Ata i referohen mbikëqyrësit të tyre, një specialist kyç, i cili gjithashtu refuzon të mbajë një qëndrim për incidentin. Ekspertët i referohen një gabimi që nuk duhet të kishte ndodhur. Morfologjia e zonës ka luajtur rol në kushtet që kanë çuar më pas drejt përplasjes.

Treni i pasagjerëve po dilte nga një tunel, nëse do të kishte shikueshmëri më të mirë qoftë edhe në një distancë prej një kilometër, ndoshta drejtuesit e mjeteve do të kishin frenuar për të ulur disi shpejtësinë. Ekspertët e sigurisë theksojnë se nëse aksidenti do të kishte ndodhur brenda tunelit, humbjet do të ishin më të mëdha.

Shqipëria në shenjë solidariteti me Greqinë ka shpallur datën 5 Mars ditë zie kombëtare.