Aktualitet “Po më çoni mes ujqërve”! Reçi nuk shkon në gjykatë, Shullazi: Silleni,...

“Po më çoni mes ujqërve”! Reçi nuk shkon në gjykatë, Shullazi: Silleni, ta shohim në sy

Dështon për herë të tetë marrja e dëshmisë së Luftar Reçit për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

Luftar Reçi i ka dërguar një letër nga burgu gjykatës ku thotë se është i sëmurë nga diabeti dhe sëmundje të tjera.

Në letrën e tij Reçi nënvizon gjithashtu se i rrezikohet jeta.

“Të më çoni mua në gjykatë është njësoj si të vendosni qengjin mes ujqërve”, shkruan Reçi në letrën e tij, ndërsa i kërkonte gjykatës të dëshmonte përmes Skype.

“Nuk kam më mundësi e as fuqi të paraqitem në gjyq. Kam ardhur 5 herë dhe gjyqi është shtyrë. Unë jam paraqitur për respekt të drejtësisë. Jam i sëmurë prej vitesh me diabet dhe probleme të tjera shëndetësore. Kërkoj të dëshmoj me skype. Nëse avokatët kanë dyshime, të jenë prezentë tek unë dhe 2-3 gazetarë. Kam arsye shëndetësore dhe sigurie vajtje-ardhje. Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve“, thuhej në deklaratën e Reçit.

Nga ana tjetër gjatë seancës së mbajtur i pandehuri Elmiljano Shullazi ka kërkuar që Reçi të vijë në seancë në mënyrë që ta shohin dhe në sy kur jep dëshminë e tij.

“E kam kërkuar që në fillim një ballafaqim me të. Luftar Reçi nuk di të përgjigjet. Ai duhet të vijë aty para gjykatës”, tha Shullazi.

Ndërkohë që GJKKO ka urdhëruar shoqërimin e detyrueshëm të Luftar Reçit në gjykatë.

Në përfundim, gjykata shtyu seancën për më 20 mars.