Sport Humbja më e thellë, sa rekorde të vendosura në Liverpool-United

Humbja më e thellë, sa rekorde të vendosura në Liverpool-United

Premier League dhuroi një shfaqe spektakolare pasditen e së dielës, teksa tifozët e lojës së bukur ishin dëshmitar të një triumfi madhështor të Liverpoolit me rezultatin e thellë 7-0 kundër rivalëve të Manchester United.

Mitiku Anflied është dëshmitar i shumë fitoreve fantastike dhe shpeshherë rikthimeve spektakolare të Liverpool, por kjo ndeshje dhe ky rezultat do të mbetet gjatë në histori për shkak edhe të rekordeve të shumta që janë thyer.

Për United kjo ishte disfata më e thellë përsa i përket shekullit 21. “Djajtë e Kuq”  edhe këtë sezon në derbin kundër Manchester Cityt u mundën 6-3. Ndërsa në verën e vitit 2022 në startin e Premier League humbën kundër Brentford 4-0. Në sezonin 2011/2012, City i ka mundur rivalët e qytetit në derbi 6-1, ndërsa po me të njëjtin rezultat “Djajtë e Kuq” janë mundur me Tottenham në sezonin 2020/2021.

Sa i përket historisë së përballjeve, rezultati më i thellë në ndeshjen Liverpool – Man United i takonte vitit 1895, ku të kuqtë regjistruan fitoren 7-1.  Pas 128 vitesh regjistrohet një rekord i ri në përballjet direkt me fitoren e të kuqve 7-0.

Prej vitit 2016 në “Anfield” janë zhvilluar tetë ndeshje midis Liverpoolit dhe Man United. “Djajtë e kuq” në total kanë realizuar vetëm 1 gol, teksa ky është një tregues i qartë i dominimit të skuadrës së Jurgen Klopp në vitet e fundit. Sa i takon holandezit, Erik Ten Hag për të ishte humbja më e thellë në karrierën e tij prej 481 ndeshjesh si trajner në të gjitha garat.

Kjo ndeshje ishte speciale edhe për Mohamed Salah. Mbreti Egjiptian u bë golashënuesi më i mirë i Liverpoolit në histori të Premier Leagues.

Ndërsa për herë të parë që nga viti 1908, tre lojtarë të Liverpool-it kanë shënuar nga 2+ gola në një ndeshje të vetme kundër Manchester United; Cody Gakpo, Darvin Núñez dhe Mohamed Salah.