Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka deklaruar këtë të Premte se në fund të muajit Mars do të aktivizohet bursa energjitike shqiptare.
Balluku theksoi se bursa “Alpex” do të garantojë transparencë, konkurrencë dhe efikasitet të kapaciteteve fotovoltaike.
“Ky është një vit i shënuar pasi unë duhet të them që Marsi që ne do të kthejmë operative dhe do të jetë tashmë një e re e shumëpritur, bursën energjitike shqiptare. E kemi deklaruar disa herë si kohë dorëzimi, por gjithmonë ka pasur problem, sepse ne punojmë me partnerë të cilët kanë hasur kriza dhe na është dashur ta shtyjmë kohën e dorëzimit. Të gjitha palët kanë rënë dakord që fundi i Marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të bursës “Alpex”, e cila padyshim do të garantojë transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve fotovoltaike. Është koha që mos të fiksohemi tek panelet fotovoltaike, ka alternative të tjera dhe ne kemi ultësirën Perëndimore që është diamanti i tokës shqiptare duke rishikuar ligje sa i përket parcelave dhe duke u hapur kështu rrugën investimeve. Bëj thirrje dhe them se energjia është një fushë me oportunitete shumë të mëdha”, deklaroi ministrja.