Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për shpalljen e Lumit Vjosa Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes.
Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro tha se sipërfaqja totale e shpallur Park Kombëtar është 12 727 ha.
“Kemi sot vendimin që e shpallim lumin e Vjosës lumin e fundit të egër në Europë park kombëtar.
E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje 12 727 ha që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore që së bashku me të tre degët e lumit Vjosë, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i egër i një lumi në Europë”, tha Kumbaro.
Tulipani shqiptar shpallet monument natyre
“Një specie e veçantë që bën pjesë edhe në speciet te rrezikuara të zonave të mbrojtura që njihet si tulipani shqiptar, i zbuluar si i tillë në vitin 2003 nga shkencëtarët e biodiversitetit dhe biologjisë shpallet sot në një zonë të caktuar ku rritet tipikisht në bashkinë e Kukësit për shkak të kushteve klimatike dhe të habitatit ujor monument natyre, që është shkalla më e lartë e mbrojtjes, kategoria e parë.
Bëhet fjalë për 35 ha në njësinë administrative të Surroit. Kjo specie e veçantë është dhe në listën e kuqe ndërkombëtare”, deklaroi ministrja.