Nga Elbasani, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar 14 Marsin një ditë ndryshimi teksa sjellë dhe mesazhin me bindjen se edhe 14 Maji do të jetë i tillë.
Krah bashkëshortes Liri Berisha dhe kandidatit për kryetar bashkie në Elbasan për PD-në, Luçiano Boçit, kryedemokrati Berisha ka deklaruar se 14 Maji do të sjellë një ndryshim të thellë pasi sipas tij, do të votojë për Luçiano Boçin për qytetar të parë të qytetit.
Sali Berisha: “Urimet më të përzemërt qytetarëve të Elbasanit, për këtë ditë gëzimi, feste për Elbasanin, i cili sot është edhe kryeqyteti i saj dhe mbarë shqiptarët. Këtu sot kanë ardhur pelegrinë nga mbarë Shqipëria, në këtë kontekst, Elbasani është sot kryeqytet i pelegrinazhit shqiptar. Por nuk mund të mos theksoj se kjo ditë, është njëkohësisht simbol i ndërrimit, i lulëzimit, i ndryshimit. Natyra fillon e ndërron kostumin e saj, moti vjen tjetër. 14 Maji do të ndjekë një ndryshim të thellë dhe qytetarët e Elbasanit do të mbështesin me besim të madh, një intelektual të shquar, një qytetar shembullor, por edhe një politikan të mirënjohur, Luçiano Boçin për qytetar të parë të qytetit. Edhe njëherë, urimet më të përzemërta për këtë festë, Hirushen e festave tona, siç e ka quajtur Faik Konica”.
Gjatë vizitën në Elbasan, kryedemokrati Berisha ka vizituar dhe panairin si dhe është përshëndetur me qytetarë të shumtë në qytet.