Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Australia kanë zbuluar planin e tyre për të krijuar një flotë të re nëndetësesh me energji nukleare. Kjo lëvizje vjen si përgjigje ndaj influencës së Kinës në rajonin Indo-Paqësor.
Me paktin Aukus, Australia do të furnizohet me nëndetëset e para që fuqizohen nga një burim bërthamor, tre prej të cilave do t’i marrë nga SHBA-ja.
Aleatët do të punojnë po ashtu për të krijuar një flotë me teknologji nga më të fundit duke përfshirë këtu edhe reaktorët Rolls-Royce të prodhuar në Britaninë e Madhe.
Marrëveshja është kritikuar nga Pekini, ministria e jashtme e të cilit akuzoi të martën tre vendet për kalim të vijës së kuqe.
Misioni kinez në Bashkimin Evropian kishte akuzuar më herët aleatët perëndimorë për frenim të përpjekjeve për mospërhapjen bërthamore.
Por, presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se synimi i marrëveshjes është që të forcojë paqen në rajon ndërsa theksoi nëndetëset janë të fuqizuara nga një burim bërthamor, dhe jo të pajisura me armë bërthamore.